

ROMË – Hetimet për atentatin me lëndë shpërthyese ndaj gazetarit investigativ të RAI-t, Sigfrido Ranucci, kanë marrë një zhvillim të ri. Sipas Prokurorisë së Romës, si porositës i dyshuar i sulmit po hetohet biznesmeni dhe ish-botuesi Valter Lavitola, i dënuar më parë për tentativë shantazhi ndaj ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi.
Ranucci është shprehur i tronditur nga ky zhvillim, duke deklaruar se e njihte prej vitesh Lavitolën.
"Jam i shokuar. Me Lavitolën jemi miq. Nuk arrij ta besoj," është shprehur gazetari.
Sipas mediave italiane, Lavitola është kontrolluar nga karabinierët dhe ndodhet nën hetim së bashku me një person tjetër, i dyshuar se ka ndërmjetësuar kontaktet me autorët e dyshuar të atentatit. Të dy pritet të merren në pyetje nga prokurorët.
Ndërkohë, katër persona të arrestuar javën e kaluar dyshohet se janë autorët materialë të vendosjes së lëndës shpërthyese pranë banesës së Ranuccit. Hetuesit besojnë se njëri prej tyre ka siguruar automjetin e përdorur, ndërsa të tjerët kanë kryer vëzhgimin dhe kanë vendosur eksplozivin.
Një nga çështjet kryesore që po hetohet është motivi i atentatit. Prokuroria po verifikon nëse sulmi lidhet me marrëdhënie personale apo me aktivitetin profesional të gazetarit. Emisioni investigativ "Report", i drejtuar nga Ranucci, ka trajtuar edhe më parë çështje që lidhen me Lavitolën, megjithëse deri tani nuk është bërë publik ndonjë motiv i mundshëm që mund të ketë çuar në organizimin e sulmit.
Sipas autoriteteve italiane, pista që lidhte atentatin me organizatën kriminale Camorra ose me shtetas shqiptarë është zbehur ndjeshëm gjatë hetimeve dhe aktualisht konsiderohet e pabazuar. Ky vlerësim është bërë edhe pas analizimit të një emaili anonim të marrë nga hetuesit, i cili përjashtonte përfshirjen e klanit Moccia.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet theksojnë se personat nën hetim gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





