Transmetuar më 07-07-2026, 15:33

UPSALA – Autoritetet suedeze kanë arrestuar një të mitur nën moshën 18 vjeç, i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të 19-vjeçarit shqiptar Gent Maksutaj, ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Suedi.

Sipas hetimeve paraprake, Maksutaj u qëllua për vdekje në një rrugë të qytetit të Upsalës, vetëm pak javë pasi kishte përfunduar shkollën e mesme dhe ndërsa po përgatitej të niste studimet për arkitekturë.

Mediat suedeze raportojnë se mënyra e kryerjes së sulmit ngre dyshime se bëhet fjalë për një ekzekutim. Sipas të përditshmes Aftonbladet, autori i dyshuar iu afrua viktimës me biçikletë, e qëlloi fillimisht me armë zjarri dhe, pasi i riu ra në tokë, iu afrua sërish duke e qëlluar nga një distancë e afërt.

Pas ngjarjes, i dyshuari dyshohet se u largua me tren drejt Stokholmit, ku u arrestua nga policia në ambientet e një restoranti.

Prokuroria suedeze ka bërë të ditur se hetimet janë në vijim dhe nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së personave të tjerë në krim.

Ndërkohë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse vrasja lidhet me konfliktet mes grupeve kriminale, një fenomen që ka shqetësuar Suedinë gjatë viteve të fundit.

Sipas mediave lokale, Gent Maksutaj sapo kishte përfunduar arsimin e mesëm dhe synonte të vazhdonte studimet për arkitekturë. Familjarët dhe miqtë e kanë përshkruar atë si një të ri pa precedentë penalë dhe pa lidhje me aktivitet kriminal.

Rrethanat dhe motivi i ngjarjes mbeten ende objekt i hetimeve nga autoritetet suedeze.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit