Transmetuar më 07-07-2026, 15:30

Katër versione si mund të ndahemi me Ramën

Nga Andi Bushati

Ndonëse protesta më simbolike dhe më e bukur që ka ngjarë në këtë vend ka nxjerë në dritë një të vërtetë të madhe, atë se Shqipëria drejtohet nga një bandë uzurpatorësh pa legjitimitet, ajo deri më tani nuk ka ofruar zgjidhje për mënyrën se si mund të çlirohemi prej tyre.

Pyetja e thjeshtë: “si ikën Edi Rama”, thelbi i së cilës është shfaqur me gjithë kreativitetin e tij në qindra sllogane përgjatë bulevardit, qëndron si shpata e demokleut mbi fatin e revolucionit të flamingove.

Opsionet e hedhura përgjatë këtyre thuajse 40 ditëve janë disa. Ka nga ata që besojnë se ende jetojmë në demokraci dhe shpresojnë në një dorëheqje morale, si shenjë reflektimi për mëkatet e këtyre 13 viteve. Sipas logjikës së tyre, në një vend të lirë është e kotë të zvaritesh në pushtet, pasi sa më shumë të zgjasë kjo agoni, aq më e fortë dhe më e parikuperueshme do të jetë rënia.

Një grupim tjetër sheh si mundësi një lloj zgjimi brenda Partisë Socialiste siç ndodhi me deputeten e Shkodrës Mariana Koçeku, ku një grup ish besnikësh mund ti kërkojnë kryeministrit të largohet, pasi po bëhet një peshë e papërballueshme për fatin e forcës së vet politike.

Nga ana tjetër, ata që s’besojnë tek këto zgjidhje që bazohen mbi një reflektim moral, kanë hedhur vështrimin nga SPAK dhe drejtësia e re. Për ta, ato fuqi perendimore që e shohin me simpati protestën dhe kanë stimuluar pjesmërrjen në të OJF-ve të financuara prej tyre, mund të shfrytëzojnë ndikimin tek prokurorët dhe gjykatësit për ti dhënë fund sundimit të autokratit. Ata aludojnë se një lëvizje e ngjashme me rastin Balluku, ku kryeministri të pezullohej nga detyra, do e zgjidhte përfundimisht dilemën.

Të treja këto versione i bashkon një rrugë e kadifejtë drejt fundit. Ato parashikojnë një rrugëtim të butë dhe paqësor drejt ndarjes me autokracinë, që i shkon në mënyrë të përkryer AND-së së kësaj lëvizjeje qytetare.

Por, fatkeqësisht, po aq sa janë të bukura, po aq ato duken edhe të pamundura. Për Edi Ramën, ashtu sikurse e ka pohuar edhe vetë, dorëheqja mbetet një zgjidhje e paimagjinueshme. Jo vetëm për faktin se prej një dekade ai është mësuar të udhëtojë me çarter privat, të presë mbrëmjeve vizitorë me të cilët hap vera 33 mijë euroshe, por edhe për një gjë shumë më ekzistenciale. Nga nënyra se si e ka ushtruar pushtetin, ai i ka lënë vetes vetëm dy zgjidhje: ose kolltukun, ose qelinë. Duke firmosur “fap, fap fap”, duke plaçlitur këtë vend, duke u përfshirë në skandale alla McGonigal, ai e ka dizenjuar vetë rrugën e tij. Ai e dogji mundësinë të plakej me Koçon në Qeparo, apo ti përkushtohj pikturës në një jetë të tretë. Nëse lë pushtetin, ai humb gjithçka, prandaj largimi vullnetar është një iluzion.

Po e tillë duket edhe mundësia e një “Rilindje 2.0” në PS. Prej kohësh ajo parti ka adoptuar fytyrën, moralin dhe veset e kreut të saj. Ajo është zeqinizuar aq shumë sa sot duket e pamundur që brenda saj të ngrihen 13-14 vetë që të votojnë një mocion kundër shefit.

As rruga me SPAK nuk duhet parë me optimizëm. Sado që falë influencave të huaja ai mbetet institucioni më pak i pakapur ndërmjet të gjithë të tjerëve, shenja më e madhe e pavarësisë që Prokuroria e Posaçme ka dhënë deri më tani, ka qenë që të godasë pa leje brenda vathës së Ramës, por pa imagjinuar kurrë, as në ëndërrat e veta më të çmendura, të shkojë deri tek ai. Ndonëse fakte dhe indicie ka me dhjetra, SPAK nuk ka guxuar deri më tani, as ta pyesë si person që ka djeni për skandalet e llahtarshme Ramën, e jo më të vijojë përtej. Edhe masiviteti i revolucionit të flamingove edhe presioni i mundshëm ndërkombëtar, kanë pak gjasë ta trimërojnë deri në këtë pikë.

Në këto kushte, kur të tëra rrugët normale duken të bllokuara, i vetmi shteg i mundshëm mund të jetë ai i përplasjes. Një tentativë për të hyrë në kryeministri, qoftë dhe në mjediset e KOD, qendrës për komunikim dhe dialog, të cilën vetë qëveria e ka promovuar si një hapsirë për dëgjimin e zërave kritikë, mund të përbënte një simbol, se pallati i pushtetit nuk i përket më një grushti uzurpatorësh.

Natyrisht, që zgjedhja e opsionit të forcës ngërthen brenda vetes risqe të mëdha. Ajo mund ta ndante lëvizjen nga një pjesë e saj, thelbësisht qytetare, që çon çdo pasdite fëmijët të vizatojnë në shesh. Ajo mund të shkrumbonte kreativitetin e atyre slloganeve, që për nga fantazia janë të denja për çmimin Nobel. Ajo mund ta kthente festën në tragjedi.

Aq e vërtetë është kjo sa në disa raste ka qenë vetë aparati shtetëror që ka provokuar me dhunë, shkopa gome, gaz lotjellës e arrestime të paligjshme, duke shpresuar se, fundi i epokës paqësore, do e përçante protestën. Data 4 korrik dëshmoi se nuk ia arriti.

Prandaj, sado me risk që të duket, përgjigjja me fuqinë e rrugës ndaj dhunës sistemike të pushtetit, nuk ka pse trajtohet më si tabu. Që prej 30 majit flamingot kanë dëshmuar se dinë të jenë qytetarë, paqësorë, me fantazi. Ata e kanë fituar betejën morale me këtë mjedis. Ata i kanë shfryrë të gjitha shpifjet që kanë dashur ti bëjnë pis. Tani për ta, më i rëndësishëm se imazhi është qëllimi. Ndoshta përpos fytyrës së bukur, “Shqipëria e re” e kërkon edhe një sakrificë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit