

TIRANË – Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet se prej disa ditësh po përballet me, sipas saj, një fushatë të organizuar sulmesh online nga profile të rreme dhe patronazhistë, të cilët i kërkojnë të heqë dorë nga mandati i deputetes.
Koçeku thekson se dorëzimi i mandatit do të ishte një vendim i lehtë për të, por shton se nuk ka ndërmend të tërhiqet përballë, siç e cilëson ajo, presionit të ushtruar nga "mercenarë virtualë", të organizuar nga funksionarë të shtetit.
Sipas deputetes, në rrjetet sociale veprojnë qindra mijëra profile të rreme, ndërsa pretendon se strukturat e pushtetit vendor janë shndërruar në mekanizma që ushtrojnë presion ndaj zërave kritikë përmes komenteve dhe postimeve në internet.
Në reagimin e saj, Koçeku shprehet se gjuha publike është keqpërdorur më shumë se kurrë dhe se, në periudha protestash, vihet re një mobilizim i koordinuar për të denigruar çdo kritik të qeverisë.
Deputetja thekson se ka qenë e vetëdijshme për koston e të shprehurit lirshëm, por shton se heshtja, sipas saj, do të kishte një çmim edhe më të lartë. Në përfundim të mesazhit, ajo shprehet se Shqipëria nuk duhet të jetë "republika e fallsitetit dhe e fantazmave online".
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





