Transmetuar më 07-07-2026, 13:14

FIER – Zbardhen detaje të reja lidhur me rastin e dhunimit të një 17-vjeçareje në Fier, ngjarje që u bë publike pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku e mitura shfaqet duke u goditur fizikisht nga dy adoleshente, ndërsa një person i tretë filmon të gjithë episodin.

Sipas të dhënave hetimore, ngjarja ka ndodhur më 8 qershor 2026 në banesën e një 19-vjeçareje në Fier. Pas kallëzimit të bërë nga 17-vjeçarja, Policia nisi procedimin penal ndaj tre të miturave, të cilat kanë deklaruar se e kanë dhunuar viktimën për motive të dobëta.

Njëra prej 15-vjeçareve të dyshuara u arrestua më 28 qershor, pas një kallëzimi të bërë nga nëna e saj, e cila pretendoi se ishte dhunuar nga e bija. Më pas, e mitura u dërgua për trajtim në spitalin psikiatrik në Tiranë.

Ndërkohë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier njoftoi se ka regjistruar procedim penal për veprën "Heqja e paligjshme e lirisë", kryer në bashkëpunim, ndërsa me vendim gjykate është caktuar masë sigurimi ndaj njërës prej të miturave në konflikt me ligjin.

Organi i akuzës bëri të ditur se hetimet po vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të përcaktuar përgjegjësitë penale të të gjithë personave të përfshirë, si dhe për të verifikuar mënyrën e realizimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së videos në rrjetet sociale.

Në deklaratën zyrtare, Prokuroria u bëri thirrje qytetarëve, administratorëve të faqeve në rrjetet sociale dhe mediave të mos publikojnë apo shpërndajnë pamje ose të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e të miturve të përfshirë, duke theksuar se mbrojtja e privatësisë dhe interesit më të lartë të fëmijës është një detyrim ligjor.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit