Transmetuar më 07-07-2026, 13:13

Tiranë – Në zemër të ish Bllokut në kryeqytet, ka ndodhur një konflikt i dhunshëm mes dy biznesmenëve, bosit të kompanisë farmaceutike CFO Pharma dhe pronarit të Sky Tower, Mirton Lika.

Policia e Tiranës tha zyrtarisht se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 proceduan penalisht shtetasin Nadir Çausholli, 48 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia”.

Nadiri sipas policisë, dje më datë 6 korrik 2026, në rrugën “Ibrahim Rugova”, gjatë një konflikti të ndodhur për montimin e një pajisjeje karikimi për automjete elektrike në trotuar, dyshohet se ka kanosur me fjalë shtetasin M. L., 53 vjeç, si dhe ka goditur me shkelm një karrige në drejtim të tij.

Nga ana tjetër, Nadir Çausholli ka kallëzuar se është kanosur me fjalë nga shtetasi Mirton Lika.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Biznesmeni Mirton Lika kallëzon penalisht Nadir Çaushollin: Më goditi me karrige dhe më kërcënoi me jetë

Incidenti është regjistruar pranë godinës “Sky Tower” në Tiranë, pas të cilit biznesmeni Mirton Lika ka depozituar kallëzim penal ndaj Nadir Çaushollit, pronar i një prej depove kryesore farmaceutike në vend.

Ngjarja ndodhi dje rreth orës 10:00 paradite në rrugën “Ibrahim Rugova”, pranë godinës “Sky Tower”. Video që shikoni më lart u publikua nga gazeta Tema.

Sipas kallëzimit të depozituar në Komisariatin nr. 2 në Tiranë, Lika ka qenë duke shkuar drejt zyrës së tij, kur ka parë disa persona që po montonin një pajisje karikimi për automjete elektrike në zonën pranë objektit.

Në denoncim thuhet se Lika u ka kërkuar punonjësve informacion nëse kishin leje për vendosjen e pajisjes, pasi sipas tij çështja lidhej me një procedim të hapur pranë Prokurorisë së Tiranës.

Ai ka deklaruar se një pajisje e mëparshme karikimi në të njëjtën zonë ishte sekuestruar dhe vlerësuar si e paligjshme nga organet kompetente.

Sipas kallëzimit, punonjësit nuk kanë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm dhe më pas kanë njoftuar policinë.

Në vend ka mbërritur fillimisht një patrullë e Policisë së Shtetit, e cila, sipas denoncimit, ka bërë verifikimet paraprake dhe ka njoftuar Policinë Bashkiake, duke qenë se çështja lidhej me ndërprerjen e punimeve dhe dokumentacionin përkatës.

Në kallëzim përshkruhet edhe dinamika e incidentit, sipas të cilës ndërsa biznesmeni Lika po priste mbërritjen e Policisë Bashkiake, Nadir Çausholli iu afrua në mënyrë kërcënuese dhe e thirri të shkonte pranë tij.

Në momentin që Lika u afrua, në konflikt ndërhynë personat që shoqëronin Çaushollin, ndërsa ky i fundit goditi me shqelm një karrige, e cila fluturoi në drejtim të kallëzuesit. Lika deklaron se arriti t’i shmangej goditjes, ndërsa Çausholli vijoi me fyerje dhe sharje ndaj tij.

Lika ka kërkuar nga Policia e Shtetit marrjen e masave dhe vënien para përgjegjësisë të personit të përfshirë në ngjarje, duke deklaruar se ndihet i kërcënuar jo vetëm personalisht dhe për familjen, por edhe për imazhin e bizneseve “Sky Hotel” dhe “Sky Tower”.

Mirton Lika është një nga bashkëpronarët e “Sky Tower” në Tiranë dhe Konsull i Sri Lankës në Shqipëri.

Kush është Nadir Çausholli dhe përballjet me drejtësinë

Emri i Nadir Çaushollit është lakuar edhe më herët në një tjetër çështje problematike. Ai është pronar i një prej depove kryesore farmaceutike në Shqipëri, ndërsa pak muaj më parë Prokuroria e Tiranës vendosi masa sigurimi për disa punonjës të “CFO Pharma”, të dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi me rimbursimin e barnave.

Më herët në 2015, Prokuroria e Tiranës njoftoi se kishte zbuluar skemë mashtrimi me rimbursimin e ilaçeve dhe nxori këtë njoftim:

Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ndalimin e disa shtetasve, përfshirë pronarin e një depoje farmaceutike, drejtues të kësaj depoje, disa farmacistë dhe zyrtarë të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Rajonal, Tiranë, të dyshuar se janë përfshirë në një skemë mashtrimi të madhe me rimbursimin e ilaçeve.

Nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës (Njësia Task-Force), rezulton se në krye të kësaj skeme, të evidentuar së fundmi, qëndron shtetasi N. Çausholli, administrator i depos farmaceutike “Omega Pharma”.

Objekti i hetimit fillimisht ka pasur të bëjë me rimbursimin e çmimeve të medikamenteve mjekësore, përsa i përket recetave të ekzekutuara pranë katër subjekteve farmaceutike, të cilët janë Farmacia Lunder, Nutrimed 2012, Berxhite, dhe Adelina.

Përveç farmacive të sipërcituara, objekti i hetimit të këtij procedimi është zgjeruar edhe tek aktiviteti i disa farmacive të tjera, të cilat rezultojnë të kenë përfituar vlera të larta rimbursimi përsa i përket medikamenteve mjekësore, çmimet e të cilave rimbursohen nga shteti.

Referuar legjislacionit në fuqi, farmacitë rimbursohen vetëm për medikamentet mjekësore, të cilat janë tregtuar nga importuesi/shpërndarësi farmaceutike që ka kontratë me Fondin. Farmacitë, si edhe depot importuese dhe ato shpërndarëse, kanë pasur detyrimin të deklarojnë çdo muaj hyrjet dhe depon, nga e cila kanë blerë medikamentet e bëra hyrje.

Nga hetimi ka rezultuar se disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive. Nga kqyrja e hyrjeve të këtyre farmacive vihet re se një pjesë e madhe e furnizimeve ose të gjitha furnizimet janë bërë nga depoja “Omega Pharma Group”.

Gjithashtu, nga hetimi mbi këtë procedim ka rezultuar se medikamenti mjekësor ketosteril është një medikament për të cilin të drejtën e importit e ka depoja farmaceutike „R… F“. Ky medikament jepet për diagnozën “insuficencë kronike renale“. Nga kqyrja e të dhënave të deklaruara nga disa farmaci që operojnë në tregun e Tiranës, vihet re se këto farmaci kanë deklaruar fletë-hyrje të barit Ketosteril me furnitor „Omega Farma Group“ për periudhën qershor 2013 – maj 2015. Gjatë kësaj periudhe rezulton e provuar se „R… F…“ nuk ka bërë shitje të ketosterilit tek „Omega Pharma Group“ dhe se ky sybjekt nuk ka pasur blerje të këtij produkti.

Nga këqyrja e faturave tatimore të sekuestruara pranë “Omega Pharma Group” vihet re se në këto fatura janë identifikuar disa fatura “kesh” me shitje minus. Në këto fatura bëhet fjalë për medikamente të ndryshme, duke përmendur këtu edhe medikamentet ketosteril dhe insulina. Emri i subjektit nga i cili është marrë malli nuk është i identifikuar.

Përsa më sipër, ekziston dyshimi se depoja “Omega Pharma Group” ka krijuar fatura tatimore fiktive. Ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitje fiktive pa pasur blerje. Më pas,  farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar Fondit rimbursim për këto receta. Për sa më sipër, nga studimi në tërësi i materialeve të administruara në këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyetuar në prova se personi nën hetim N. Çausholli ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave” në bashkëpunim dhe “Mashtrimit” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 dhe 143/2 i K.Penal. Në vijim të hetimit, ka rezultuar se veprimtaria e dyshimtë e shtetasit Çausholli është mbështetur edhe nga shtetasit F. K. (drejtues teknik i “Omega Pharma Group gjatë vitit 2014); V.K. (shefe e Financës pranë “Omega Pharma Group”); si edhe A.P (punonjëse financiere pranë “Omega Pharma Group”)

Po ashtu, nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive të marra nga  “Omega Pharma” dhe më pas i kanë paraqitur këto receta pranë Fondit të Kujdesit Shëndetësor, me qëllim rimbursimi. Për këto veprime të kundërligjshme, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhëra ndalimi edhe për shtetasit:

– E.M. (drejtuese teknike e farmacisë “Alice”);

– M.P A.T dhe A.TH (përkatësisht administror dhe drejtues teknikë të farmacisë “Express”);

– E.H.  (drejtuese teknike e farmacisë “Farmacia nr.6 ”);)

– O.P (Administrator dhe drejtuese teknike e farmacisë “Katroshi”)

Nga hetimi ka rezultuar se farmacitë, janë ekzekutuar receta fiktive, të cilat më pas i kanë dorëzuar prane Fondit me qëllim rimbursimi. Këto receta fiktive kanë dalë prej magazines së Drejtorisë Rajonale të Fondit. Shtetasja V. B., në cilësinë e magazinieres së këtij institucioni, nuk ka administruar në mënyrën e duhur lëvizjen e materialeve të bëra hyrje në magazinë. Ajo nuk ka bërë shpërndarjen e recetave në përputhje me procedurën e rregullt ligjore.

Po ashtu, ka rezultuar se për çdo muaj, në Fondin Rajonal bëhet akt-rakordimi i recetave. Shtetasja E. P. ka pasur detyren e shefes së Sektorit të Informatikës-Statistikës. Kjo shtetase ka deklaruar se dosjet e këtyre farmacive, ajo nuk i ka firmosur. Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi T.T. ka nënshkruar për “Sektorin e Inf.Statistikës” pa pasur asnjë tagër për të kryer këtë veprim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit