

Ankara, Turqi – Dy gazetarë turq janë arrestuar një ditë përpara nisjes së samitit të NATO-s në Ankara, sipas Shoqatës për Mbrojtjen e Lirisë së Medias (MLSA).
Njëri prej tyre, gazetari Kayhan Ayhan, i cili ka raportuar mbi procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, dhe bashkëpunëtorëve të tij lidhur me akuzat për korrupsion, u arrestua mbrëmjen e së hënës në banesën e tij.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Ayhan akuzohet për “përhapje të lajmeve të rreme” dhe pritet të dalë përpara gjykatës. MLSA ka deklaruar se pyetjet drejtuar gazetarit gjatë ndalimit kishin të bënin me aktivitetin e tij profesional dhe raportimet mbi proceset ligjore, ndërsa hetimi është regjistruar nga autoritetet nën dyshimet për vepra penale të lidhura me terrorizmin.
Po ashtu, është ndaluar edhe gazetari Hazar Dost në Stamboll. Sipas të njëjtave burime, arrestimi i tij lidhet me pjesëmarrjen në një protestë të zhvilluar në vitin 2018, për të cilën ai më herët ishte liruar nga akuzat.
Dost u ndalua në një dyqan ushqimor pranë banesës së tij, ndërsa autoritetet pritet ta paraqesin atë përpara gjykatës.
Arrestimet kanë shkaktuar reagime nga organizatat e lirisë së medias, të cilat kanë ngritur shqetësime për presionet ndaj gazetarëve dhe zërave kritikë në Turqi.
Ngjarjet vijnë në një kohë kur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pret në Ankara liderët e vendeve anëtare të NATO-s për samitin e Aleancës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






