

Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ndërtimi i një spitali të ri të ekselencës në Tiranë do të shënojë një fazë të re për sistemin shëndetësor në vend, duke mundësuar trajtimin e rasteve të komplikuara mjekësore.
Gjatë një aktiviteti ku u diskutua për projektin, Rama falënderoi përfaqësuesit e grupit italian San Donato për bashkëpunimin, duke theksuar se marrëveshja për ndërtimin e spitalit është një hap i rëndësishëm në forcimin e shërbimeve shëndetësore.
“Kemi një kapitull të ri për shëndetësinë. Ky spital do të trajtojë edhe sëmundjet e komplikuara dhe do t’u japë qytetarëve mundësi të reja për kujdes të specializuar shëndetësor”, u shpreh Rama.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu rolin e bashkëpunimit shqiptaro-italian dhe falënderoi ekipin që është angazhuar në realizimin e projektit. Ai bëri të ditur se synohet që punimet të përfundojnë në vjeshtën e vitit 2028.
Rama shprehu mirënjohje edhe për ambasadorin italian në Tiranë, Marco Alberti, duke e cilësuar bashkëpunimin mes dy vendeve si një proces në zhvillim të vazhdueshëm.
Sipas kryeministrit, projekti i spitalit të ekselencës është pjesë e përpjekjeve për të sjellë standarde të reja në shërbimet shëndetësore dhe për të zgjeruar mundësitë e trajtimit brenda vendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






