

Tiranë – Ka nisur sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) procesi gjyqësor ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj nuk është paraqitur fizikisht në sallën e gjyqit, pasi ka refuzuar të qëndrojë në kafazin e xhamtë të vendosur në sallën e gjyqit. Ai ka njoftuar gjykatën se do të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
“Kam marrë dijeni për seancën gjyqësore. Dëshiroj të përfaqësohem nga avokati Plarent Ndreca”, mësohet të ketë deklaruar Veliaj përpara gjykatës.
Në sallë është paraqitur një nga të pandehurit në këtë proces, Valmir Xoxa, ndërsa bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, gjithashtu nuk është e pranishme dhe përfaqësohet nga avokati i saj.
Më herët, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Veliajt për transmetim të drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore, si dhe kërkesën për të mos qëndruar në kafazin e xhamtë gjatë procesit.
Prokurori i çështjes, Ols Dado, ka argumentuar se kjo masë nuk përbën trajtim poshtërues, por është një element sigurie për garantimin e zhvillimit normal të procesit.
Sipas akuzës së ngritur nga SPAK, ndaj Erion Veliajt janë ngritur 13 akuza, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, një pjesë e akuzave lidhen me pretendimin për përfitime të paligjshme në disa raste, ku kompani të ndryshme dyshohet se kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës në këmbim të favoreve monetare apo pasurive të paluajtshme.
Edhe Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në disa raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.
Në proces janë përfshirë edhe persona të tjerë, mes tyre biznesmenë, të cilët sipas SPAK dyshohet se kanë kryer korrupsion aktiv dhe veprime të lidhura me fshehjen dhe pastrimin e të ardhurave të paligjshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






