

Tiranë – Protestat e zhvilluara prej më shumë se një muaji në bulevardin kryesor të Tiranës, të cilat janë cilësuar nga organizatorët si “Revolucioni i Flamingove”, janë shoqëruar nga një prani e fortë e elementeve artistike dhe simbolike.
Sipas një reportazhi të BIRN, instalacione, ilustrime, pankarta, performanca dhe elemente të tjera vizuale janë krijuar nga një grup të rinjsh të organizuar nën emrin “Ritmi i Rezistencës”, me synimin për t’i dhënë protestës një formë të ndryshme komunikimi përtej formatit tradicional politik.
Në qendër të kësaj gjuhe artistike qëndron flamingoja, simboli kryesor i protestës, i cili është shfaqur në forma të ndryshme krijuese dhe është kthyer në një element identifikues të tubimeve në bulevard.
Aktivisti Arnen Sula, pjesë e grupit “Ritmi i Rezistencës”, tha për BIRN se arti nuk ka pasur vetëm një rol dekorativ, por ka shërbyer si një mënyrë për të krijuar një identitet vizual dhe për ta bërë mesazhin e protestës më të dallueshëm.
“Prania e flamingove ka krijuar një identitet vizual që e bën protestën më të dallueshme dhe më tërheqëse”, u shpreh Sula, duke shtuar se arti mund të shërbejë si një urë bashkimi mes njerëzve me përvoja dhe bindje të ndryshme.
Edhe grafistja dhe artistja multidisiplinare Elsa Paja e konsideron protestën si një hapësirë ku arti politik është shfaqur jashtë institucioneve kulturore.
Sipas saj, përfshirja e artistëve ka krijuar një mundësi të re për shprehjen krijuese dhe për përdorimin e artit si formë reagimi shoqëror.
“Janë me dhjetëra artistë që janë përfshirë dhe kanë guximin ta përdorin artin si formë rezistence”, tha Paja për BIRN.
Pas javësh të tëra protestash, aktivistët dhe artistët pranojnë se angazhimi i vazhdueshëm ka qenë sfidues, por theksojnë se ka ndihmuar në krijimin e një komuniteti të ri rreth kauzës së tyre.
“Përtej protestës, është krijuar një komunitet”, tha Sula, duke e përshkruar bulevardin si një hapësirë ku njerëzit takohen çdo ditë për të ndarë ide dhe energji.
Për Pajën, simbolika e flamingos lidhet me forcën e bashkimit.
“Këto ditë secili prej nesh ndihet flamingo. Flamingot, kur bëhen bashkë, e kanë shumë më të lehtë fluturimin”, u shpreh ajo.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





