

Tiranë – Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin unifikues mbi praktikën e caktimit të masave të sigurisë personale, duke përcaktuar standarde më të qarta për vendosjen e masës së arrestit në burg.
Vendimi, i shpallur rreth dy muaj më parë dhe tashmë i publikuar në formë të arsyetuar, sanksionon se arresti në burg përbën masën më të rëndë të sigurimit personal dhe duhet të zbatohet vetëm si mjet i fundit, kur çdo masë tjetër alternative rezulton e pamjaftueshme për të garantuar zhvillimin e procedimit penal.
Sipas Gjykatës së Lartë, barra për të provuar domosdoshmërinë e kësaj mase i takon Prokurorisë, ndërsa gjykata ka detyrimin të japë një arsyetim të detajuar dhe të individualizuar përse masat më të lehta, si arresti në shtëpi, detyrimi për paraqitje apo garancia pasurore, nuk janë të përshtatshme në rastin konkret.
Në vendim theksohet se gjykata nuk mund të mjaftohet me konstatimin se arresti në burg është masa më e përshtatshme, por duhet të analizojë konkretisht rrezikun që paraqet personi nën hetim, rrethanat e çështjes dhe sjelljen e tij, duke respektuar parimet e domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe përshtatshmërisë.
Kolegjet e Bashkuara nënvizojnë gjithashtu se nevojat e sigurimit duhet të bazohen në kriteret e parashikuara nga neni 228 i Kodit të Procedurës Penale dhe se kufizimi i lirisë personale duhet të jetë në përputhje me standardet kushtetuese dhe ato të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Me këtë vendim unifikues, Gjykata e Lartë synon të njësojë praktikën gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit, duke forcuar standardet e arsyetimit për masat e sigurisë dhe duke garantuar një mbrojtje më të madhe të të drejtave procedurale të individëve.
Dokumenti:
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






