

Frankfurt, Gjermani – Autoritetet gjermane kanë arrestuar në Aeroportin e Frankfurtit një 29-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se është pjesë e një organizate kriminale të përfshirë në një skemë mashtrimi me vlerë dhjetëra milionë euro.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, arrestimi u krye të shtunën, menjëherë pas mbërritjes së të riut me një fluturim nga Dubai. Ai u ndalua nga Policia Federale gjermane sapo avioni u ul në aeroport.
Hetimet paraprake tregojnë se organizata e dyshuar u premtonte investitorëve fitime të larta përmes investimeve në asete të ndryshme financiare. Megjithatë, sipas autoriteteve, fondet e investuara nuk përdoreshin për qëllimet e deklaruara, por përvetësoheshin nga anëtarët e rrjetit kriminal.
Prokuroria gjermane vlerëson se dëmi ekonomik i shkaktuar në Gjermani arrin në dhjetëra milionë euro, ndërsa numri i plotë i personave të dëmtuar vijon të jetë objekt i hetimeve.
29-vjeçari ishte shpallur në kërkim me urdhër arresti nga Prokuroria e Përgjithshme e Dresdenit, si edhe nga autoritetet shqiptare, nën dyshimet për mashtrim në shkallë të gjerë.
Pas arrestimit, ai u paraqit përpara gjykatës kompetente, e cila vendosi masën e arrestit. Sipas autoriteteve, nëse shpallet fajtor në Shqipëri, ai mund të përballet me një dënim deri në 15 vjet burg.
Hetimet mbi veprimtarinë e organizatës kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë janë në vijim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






