

PRISHTINË – Fermerët kosovarë të sektorit të qumështit protestuan këtë të hënë para Ministrisë së Bujqësisë, duke shprehur pakënaqësinë për situatën e krijuar në industri dhe duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet.
Me pankarta ku shkruheshin mesazhe si "Mos na lini pa bukë", "Mos prekni vendet e punës" dhe "Mos e dobësoni industrinë vendore", protestuesit derdhën qumësht para godinës së ministrisë, në shenjë revolte ndaj ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat.
Sipas Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit, grumbullimi i qumështit është ndërprerë prej katër ditësh, pas mbylljes së përkohshme të qumështores "Vita", duke lënë qindra fermerë pa mundësi për të dorëzuar prodhimin e tyre.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështarëve, Fidan Krasniqi, deklaroi se fermerët prej më shumë se një viti kanë kërkuar nga institucionet masa për mbrojtjen e prodhimit vendas dhe krijimin e kushteve të barabarta në treg.
Ai theksoi se prodhuesit vendas po përballen me konkurrencë të padrejtë nga produktet e importuara me çmime të subvencionuara nga vendet e rajonit, duke kërkuar ndalimin e importeve me çmime dumping dhe mbështetje më të madhe për fermerët vendas.
"Kemi katër ditë që nuk kemi ku ta dorëzojmë qumështin. Lopët nuk mund të ndalojnë së prodhuari dhe shumë fermerë janë të zhytur në kredi. Kërkojmë një zgjidhje të menjëhershme", u shpreh Krasniqi.
Edhe përfaqësuesi i qumështores "Vita", Kushtrim Tigani, kërkoi publikimin sa më të shpejtë të rezultateve të analizave laboratorike, duke mohuar pretendimet për praninë e qumështit pluhur në produktet e kompanisë.
Shoqata e Fermerëve paraqiti tre kërkesa kryesore: rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, publikimin e rezultateve të analizave për produktet vendore dhe rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, duke paralajmëruar se ulja e çmimit rrezikon mbijetesën e shumë fermave.
Protesta u zhvillua pas mbylljes së përkohshme të fabrikës së përpunimit të qumështit "Vita" në Istog, pas një aksioni të autoriteteve. Pas përfundimit të protestës, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, priti në një takim përfaqësues të fermerëve për të diskutuar mbi situatën dhe kërkesat e tyre.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






