

SEATTLE – Belgjika ka siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin bindës 4-1 përfaqësuesen e SHBA-së në ndeshjen e fazës së 1/8-ave.
Skuadra e drejtuar nga Rudi Garcia dominoi takimin që në minutat e para, duke kaluar në avantazh në minutën e 9-të. Charles De Ketelaere përfitoi nga një gabim në mbrojtjen amerikane dhe, pas asistit të Raskin, dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
SHBA-ja reagoi në minutën e 31-të, kur goditja e Tillman u devijua nga Hans Vanaken, duke befasuar portierin belg dhe rikthyer baraspeshën. Megjithatë, festa e vendasve zgjati vetëm dy minuta. De Ketelaere realizoi golin e dytë personal pas një asistimi të Leandro Trossard, duke rikthyer avantazhin e Belgjikës.
Në pjesën e dytë, Vanaken u shlye për autogolin, duke shënuar golin e tretë pas një gabimi të portierit amerikan dhe një asistimi të De Ketelaere. Rezultati u vulos në minutat shtesë nga Romelu Lukaku, i cili shënoi për 4-1.
Me këtë fitore, Belgjika siguron një vend mes tetë skuadrave më të mira të Botërorit 2026. Në çerekfinale, belgët do të përballen me Spanjën, në ndeshjen e planifikuar të zhvillohet më 10 korrik, në orën 21:00.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






