Transmetuar më 06-07-2026, 19:33

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, është shprehur se Shqipëria nuk është ende gati për një depolitizim të plotë të administratës zgjedhore, duke propozuar një model hibrid ku partitë politike të vijojnë të kenë rol në administrimin e zgjedhjeve, por jo kontroll të plotë mbi procesin.

Gjatë raportimit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Celibashi tha se administrimi i zgjedhjeve nuk duhet të mbetet tërësisht në dorën e partive politike, por as të kalojë plotësisht te nëpunësit civilë.

“Mendoj se ka ardhur koha që administrimi i zgjedhjeve në nivelet e dyta dhe të treta të mos jetë vetëm domen i partive politike. Nga ana tjetër, nuk jam i mendimit që anëtarët e këtyre komisioneve të jenë nëpunës civilë. Jemi ende herët që ky proces të administrohet tërësisht prej tyre,” u shpreh Celibashi.

Sipas kreut të KQZ-së, zgjidhja më e përshtatshme është një model i ndërmjetëm.

“Partitë politike duhet të jenë ende pjesë e administrimit të zgjedhjeve, por jo 100%. Duhet një zgjidhje hibride, ku partitë kryesore të jenë të përfaqësuara, ndërsa KQZ të ketë rol më të madh dhe më të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e komisionerëve,” deklaroi ai.

Celibashi u ndal edhe te procesi i numërimit të votave, duke vlerësuar se sistemi aktual ka nevojë për ndryshime.

“Numërimi në qendrat e votimit mendoj se është zgjidhja e duhur. Në çdo rast, mënyra si e kemi sot nuk është e mirë,” tha ai.

Sa i përket votimit elektronik në shkallë kombëtare, Komisioneri theksoi se aktualisht ai nuk është i realizueshëm, pasi kostoja e zbatimit në të gjithë vendin llogaritet të arrijë deri në 45 milionë euro.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit