

Një konflikt mes dy biznesmenëve në Tiranë ka përfunduar me procedim penal dhe kallëzime të ndërsjella, pas një përplasjeje të ndodhur në rrugën "Ibrahim Rugova", pranë godinës "Sky Tower".
Policia e Shtetit njoftoi se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë proceduar penalisht shtetasin Nadir Çausholli, 48 vjeç, për veprat penale "Kanosja" dhe "Vetëgjyqësia".
Sipas policisë, konflikti ka ndodhur gjatë montimit të një pajisjeje karikimi për automjete elektrike në trotuar. Organet ligjzbatuese dyshojnë se Çausholli ka kanosur me fjalë biznesmenin Mirton Lika, 53 vjeç, bashkëpronar i "Sky Tower", si dhe ka goditur me shkelm një karrige në drejtim të tij.
Nga ana tjetër, policia bën me dije se edhe Nadir Çausholli ka depozituar kallëzim, duke pretenduar se është kanosur verbalisht nga Mirton Lika. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Pretendimet e Mirton Likës
Sipas kallëzimit të depozituar në Komisariatin Nr. 2, Mirton Lika deklaron se konflikti nisi pasi konstatoi disa persona duke instaluar një stacion karikimi për automjete elektrike pranë godinës "Sky Tower". Ai pretendon se u kërkoi punonjësve dokumentacionin dhe lejen për vendosjen e pajisjes, duke argumentuar se për këtë çështje ekziston një procedim i hapur në Prokurorinë e Tiranës.
Lika pretendon se një pajisje e ngjashme, e vendosur më herët në të njëjtën zonë, ishte sekuestruar nga autoritetet si e paligjshme. Sipas tij, punonjësit nuk paraqitën dokumentacionin përkatës, ndërsa në vendngjarje u njoftua fillimisht Policia e Shtetit dhe më pas Policia Bashkiake për verifikimin e situatës.
Në kallëzim thuhet se, gjatë pritjes së autoriteteve, Nadir Çausholli iu afrua në mënyrë kërcënuese dhe konflikti verbal u përshkallëzua. Lika pretendon se Çausholli goditi me shkelm një karrige në drejtim të tij, por ai arriti t’i shmangej, ndërsa shton se është ofenduar dhe kërcënuar gjatë incidentit.
Biznesmeni i ka kërkuar organeve të drejtësisë hetim të plotë të ngjarjes, duke deklaruar se ndihet i kërcënuar si personalisht, ashtu edhe për familjen dhe aktivitetin e bizneseve të tij.
Hetime të mëparshme
Emri i Nadir Çaushollit është përmendur edhe në një hetim tjetër të Prokurorisë së Tiranës, ku disa punonjës të kompanisë "CFO Pharma" u vunë nën masa sigurimi, pasi dyshohen për përfshirje në një skemë mashtrimi me rimbursimin e barnave.
Sipas autoriteteve, dëmi i dyshuar financiar ndaj shtetit fillimisht u vlerësua rreth 700 mijë euro, ndërsa më pas Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor deklaroi se vlera e dëmit të dyshuar mund të kalojë 2.3 milionë euro. Deri më tani nuk është njoftuar përfundimi i këtij procesi dhe çdo person i përfshirë gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






