Transmetuar më 06-07-2026, 16:33

TIRANË, 6 korrik 2026 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka nisur një proces të ri riorganizimi në institucion, duke hapur garën për drejtuesit e tre departamenteve kyçe: Policisë Kriminale, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Kufirit e Migracionit.

Procesi i aplikimit u jep mundësi të gjithë oficerëve të policisë me gradën "drejtues" të konkurrojnë për pozicionet në fjalë. Lëvizjet vijnë në kuadër të reformimit të strukturave drejtuese dhe pas ndryshimeve të fundit në drejtuesit e disa drejtorive vendore.

Një nga postet më të rëndësishme është ai i Departamentit të Policisë Kriminale, i cili drejtohet prej 1 gushtit 2022 nga Neritan Nallbati, mandati i të cilit ka përfunduar. Burime bëjnë me dije se një nga emrat më të përfolur për këtë detyrë është Ervin Hodaj, aktualisht drejtor i komanduar i Policisë së Durrësit.

Ndryshime priten edhe në krye të Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i drejtuar që nga viti 2020 nga Pëllumb Seferi. Për këtë pozicion, mes kandidatëve potencialë përmendet Idajet Faskaj.

Gjithashtu, gara është hapur edhe për drejtimin e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, i cili aktualisht drejtohet nga Saimir Muça, i emëruar në këtë detyrë gjatë mandatit të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Pas përfundimit të procedurave për këto tre departamente, pritet të ketë lëvizje edhe në drejtimin e disa drejtorive vendore të policisë, përfshirë qarqet Berat, Elbasan, Korçë, Gjirokastër dhe Durrës.

Riorganizimi konsiderohet pjesë e strategjisë së drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit për të forcuar strukturat drejtuese dhe për të rritur efikasitetin e institucionit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit