Transmetuar më 06-07-2026, 15:57

TIRANË, 6 korrik 2026 – Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka komentuar protestat që po zhvillohen prej 37 ditësh në vend, duke theksuar se ndryshimi politik është “i pashmangshëm” dhe se Shqipëria, sipas tij, po fiton një vëmendje dhe simpati të shtuar në arenën ndërkombëtare.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Bushati u shpreh se javët e fundit është ndjerë “krenar” gjatë kontakteve me miq dhe bashkëpunëtorë jashtë vendit, duke theksuar se pasqyrimi i protestave në mediat ndërkombëtare e ka rikthyer Shqipërinë në vëmendjen globale si një shoqëri me ndërgjegje qytetare dhe frymë solidariteti.

Sipas tij, protestat reflektojnë shqetësime të thella mbi modelin demokratik dhe zhvillimor të vendit, të cilat kërkojnë reflektim serioz dhe ndryshime thelbësore.

Bushati argumenton se pjesa më e madhe e protestuesve i përket brezit të rritur pas vitit 1990, i cili nuk është formuar nga përvoja e komunizmit, por nga pritshmëritë për një jetë normale europiane, me mundësi të barabarta dhe institucione funksionale demokratike.

Ai shton se zhvillimet e fundit përfaqësojnë një “çlirim emocional kolektiv”, ku qytetarët, sipas tij, nuk po protestojnë vetëm kundër qeverisjes, por edhe kundër një modeli ekonomik e politik që ka krijuar pabarazi dhe mungesë konkurrueshmërie.

Në reagimin e tij, ish-ministri thekson gjithashtu se Shqipëria nuk ka pasur më parë një vëmendje kaq të madhe pozitive ndërkombëtare, duke e lidhur këtë me pasqyrimin mediatik të protestave dhe mobilizimin qytetar.

Sipas Bushatit, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është penguar nga problematika si korrupsioni, krimi i organizuar dhe kapja e institucioneve, ndërsa protestat aktuale, sipas tij, përbëjnë një “kundërprovë” të rëndësishme në kërkimin e standardeve europiane.

Ai përfundon duke deklaruar se fryma e protestës nuk mund të shuhet, pasi ajo tashmë, sipas tij, ka kaluar kufijtë e pakënaqësisë së momentit dhe përfaqëson një kërkesë të gjerë shoqërore për ndryshim të pashmangshëm.

Postimi i plotë i Bushatit:

E ARDHMJA ËSHTË KËTU

Kudo ku kam udhëtuar gjatë këtyre javëve për arsye pune, në takime apo telefonata me miq anembanë botës, jam ndier krenarë për fjalët e mira që kam dëgjuar për Shqipërinë. Pasqyrimi i protestave disa javore nga mediat prestigjioze ndërkombëtare e ka paraqitur vendin tonë si një shoqëri me ndërgjegje qytetare dhe në solidaritet.

Nuk ka imazh më të mirë sesa ai që krijohet pa para, por me shpirtin e gjallë të një shoqërie që ngrihet në këmbë për vendin e vet.

Protestat në Shqipëri pasqyrojnë shqetësime të thella që kërkojnë reflektim serioz dhe veprime kuptimplota për modelin demokratik dhe zhvillimor të vendit.

Së pari, shumica e protestuesve janë fëmijë të tranzicionit që nisi në vitin 1990 dhe nuk po gjen fund. Ata nuk janë rritur me frikën e komunizmit dhe as me paranojën e armikut të jashtëm. Prandaj, përdorimi i retorikës përçarëse prodhon efektin e kundërt. Në rajonin tonë, të vetmet vende që ende nuk e kanë kapërcyer brezin e udhëheqësve simbol të tranzicionit janë Shqipëria dhe Serbia, ndonëse për arsye krejt të ndryshme. Ndryshe nga serbët, shqiptarët e kanë të qartë se vendi i tyre i përket familjes europiane.

Për fëmijët e tranzicionit, modeli i një jete normale nuk është Shqipëria e komunizmit. As ajo e kioskave dhe firmave piramidale. Dhe as ajo e betonit, që krijon marrëdhënie ndërvarësie midis pushtetit politik, fitimit dhe imagjinatës arkitektonike, por nuk prodhon mirëqënie shoqërore. Përkundrazi. Është Shqipëria e mundësive të barabarta dhe e zvogëlimit të hendekut të padurueshëm mes pritshmërive dhe realitetit. Është Shqipëria ku demokracia nuk negociohet dhe nuk tjetërsohet.

Së dyti, gjatë këtyre javëve Shqipëria po përjeton një çlirim kolektiv emocional që nuk ndërmjetësohet nga partitë, udhëheqësit apo institucionet. Njerëzit nuk po protestojnë vetëm kundër arrogancës, personalizimit të tejskajshëm të pushtetit dhe aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, krimit të organizuar dhe medias. Ata po përjetojnë ndjesinë e solidaritetit, dinjitetit dhe vetëdijen për interesin publik.

Një nga produktet më të rëndësishme të kësaj proteste, sado e larmishme të jetë ajo, është katarsisi shoqëror. Bashkë me të po krijohet edhe një bazë e re për një ushtrim më të besueshëm demokratik, që mund ta shndërrojë energjinë e shesheve në realitet politik.

Së treti, Shqipëria nuk ka pasur kurrë kaq simpati ndërkombëtare. Gjatë luftës në Kosovë, vëmendja ndaj vendit tonë lidhej kryesisht me bujarinë e shqiptarëve në strehimin e motrave dhe vëllezërve nga Kosova. Sot kjo vëmendje është për diçka krejt tjetër: për faktin se qytetarët po kërkojnë të shkëputen nga një model politik dhe ekonomik që ka asfiksuar konkurrencën dhe meritokracinë. Një model që është ndërtuar në kurriz të brezave të shkuar dhe atyre të ardhshëm: të parëve duke ua ngrënë kontributin, të dytëve duke ua rrënuar trashëgiminë.

Së katërti, pasqyrimi i përditshëm i protestave në Shqipëri nga mediat më prestigjioze ndërkombëtare, duke u përqendruar te shkaqet reale të zemërimit qytetar dhe te mobilizimi i diasporës sonë si kurrë më parë, është investimi më i mirë për imazhin tonë si popull dhe për rrugën tonë drejt Bashkimit Europian.

Rruga jonë drejt BE-së është penguar pikërisht nga ato plagë kundër të cilave protestohet sot: korrupsioni i përhapur, krimi i organizuar, institucionet e politizuara dhe kapja oligarkike e pasurive publike. Ajo që po ndodh sot është kundërprova më e fuqishme që ka ekzistuar ndonjëherë. Shqiptarët po kërkojnë jetësimin e standardeve europiane. Ata po luftojnë me këmbëngulje për demokraci, liri, barazi, drejtësi dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror. Po bëjnë atë që bëjnë qytetarët e përgjegjshëm në çdo demokraci europiane: projektojnë ndryshimin nga poshtë lart, drejt një modeli të ri për një Shqipëri të re.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, fryma e protestës nuk mund të shuhet, sepse ajo tashmë është më e madhe se zemërimi në rrugët e Shqipërisë apo në hapësirën digjitale. Mohimi i kësaj gjendjeje vetëm sa rrit koston e një ndryshimi që është i pashmangshëm. Shqipëria ka kapërcyer sfida të mëdha duke qëndruar e bashkuar. Ky moment kërkon më shumë atdhedashuri, përgjegjësi, etikë, ide, përqendrim forcash dhe guxim.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit