

FLORIDA, 6 korrik 2026 – Pas fitores së Argjentinës ndaj Kepit të Gjelbër në Botërorin 2026, Lionel Messi u takua me gazetaren sportive Sofi Martínez, në një moment që tërhoqi vëmendjen për shkak të spekulimeve të kahershme mbi një raport të supozuar mes tyre.
Gjatë takimit, Messi iu drejtua gazetares me batutën: "Pastaj thonë se nuk të përshëndes", një koment që u interpretua si një referencë ndaj thashethemeve që kanë qarkulluar në media dhe rrjetet sociale.
Spekulimet nisën pas një interviste të realizuar gjatë Botërorit të Katarit 2022, kur komunikimi mes Messit dhe Martínez u bë viral dhe u interpretua nga një pjesë e publikut si shenjë e një afërsie personale. Gjatë Botërorit 2026, këto pretendime u rikthyen në qarkullim, ndërsa u përfol se bashkëshortja e futbollistit, Antonela Roccuzzo, ishte shqetësuar nga situata dhe se disa lojtarë të Argjentinës po shmangnin intervistat me gazetaren.
Sofi Martínez reagoi duke minimizuar zhurmën mediatike dhe duke e kthyer vëmendjen te puna e saj profesionale.
"Le të kthehemi te ajo që na pëlqen më shumë, puna jonë," deklaroi ajo, ndërsa falënderoi Messin për mënyrën se si e trajtoi situatën.
Më vonë, gazetarja sqaroi se e gjithë polemika kishte lindur nga "zhurma pa kuptim që krijohet herë pas here gjatë javës", duke theksuar se Messi nuk kishte asnjë detyrim të jepte shpjegime publike.
Martínez zbuloi gjithashtu se kishte marrë një mesazh mbështetës nga Antonela Roccuzzo, e cila i kishte shkruar: "Sofi, mos u shqetëso… mos i dëgjo budallallëqet."
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






