

RIO DE JANEIRO – Eliminimi i hershëm dhe i papritur i Brazilit nga Kupa e Botës, pas humbjes përballë Norvegjisë së Erling Haaland-it, ka shkaktuar një termet të vërtetë mediatik dhe sportiv në vendin amerikano-latin. Një nga reagimet më të ashpra dhe me peshë ka ardhur nga legjenda e futbollit botëror, Ronaldo Nazário (Fenomeni), i cili ka drejtuar gishtin e akuzës nga stafi teknik dhe yjet e fushës.
Në analizën e tij për mediat, ish-sulmuesi i famshëm brazilian nuk ka kursyer trajnerin Carlo Ancelotti, duke u shprehur se gabimet taktike dhe strategjike nisën përpara se skuadra të zbriste në fushën e lojës.
“Duhet të jem i sinqertë, mendoj se ky eliminim fillon me vendimet e trajnerit. Carlo Ancelotti është një nga trajnerët më të mëdhenj në historinë e futbollit, por këtë herë bëri shumë gabime”, deklaroi Ronaldo, duke specifikuar se nuk e kuptonte lënien jashtë listës së Botërorit të sulmuesit João Pedro, i cili vinte nga një sezon fantastik, si dhe menaxhimin e keq të talentit Endrick, të cilin Ancelotti e la pjesën më të madhe të turneut në stol.
Kritika të forta për Vinicius Jr: "Kur ekipi kishte nevojë, ai nuk bëri asgjë"
Përveç pankinës, "Fenomeni" ka kaluar në sitë edhe performancën e liderit të sulmit të Seleçao-s, Vinicius Junior, nga i cili pritej shumë më tepër në këtë kompeticion madhor.
“Vinicius duhet të marrë përgjegjësi. Të gjithë e dimë sa i talentuar është, bët ky nuk ishte një Botëror i mirë për të. Nuk u duk asnjëherë si lojtari që dominon me klubin e tij (Real Madrid). Kur Brazili kishte më shumë nevojë për yjet, ai nuk arriti të bënte diferencën.”
"Norvegjia e meritoi, gabimet në këtë nivel paguhen shtrenjtë"
Pavarësisht zhgënjimit të madh për eliminimin e vendit të tij, Ronaldo u tregua mjaft sportiv duke vlerësuar kundërshtarin që i nxori jashtë garës. Ai pranoi se Norvegjia u shfaq si një skuadër me disiplinë të hekurt taktike dhe e organizuar mjaft mirë, teksa Erling Haaland u tregua vdekjeprurës duke ndëshkuar çdo pasiguri të mbrojtjes braziliane.
“Në këtë nivel, një ose dy gabime mund të të kushtojnë eliminimin. Ne bëmë shumë më tepër se kaq dhe ia lehtësuam punën kundërshtarit”, përfundoi legjenda braziliane, duke kërkuar një reflektim të thellë për të ardhmen e përfaqësueses pesë herë kampione bote.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






