Transmetuar më 06-07-2026, 13:29

NEW JERSEY – Sulmuesi i jashtëzakonshëm norvegjez, Erling Haaland, ka qenë protagonisti absolut i një nate historike për vendin e tij, duke udhëhequr Norvegjinë drejt çerekfinaleve të Kupës së Botës (FIFA World Cup) pas një fitoreje të madhe ndaj Brazilit. Haaland shkëlqeu me dy gola të realizuar, por vëmendjen e rrjeteve sociale, përveç performancës në fushë, e ka marrë një episod mjaft i veçantë gjatë festës në dhomat e zhveshjes.

Ndërsa futbollistët po festonin të gjysmëzhveshur kualifikimin në stadiumin e New Jersey-t, ekipi mori një vizitë surprizë mbretërore nga Princesha Ingrid Alexandra dhe vëllai i saj, Princi Sverre Magnus. Pamjet ku princesha 22-vjeçare përshëndet lojtarët dhe përqafon ngrohtësisht Haaland-in – i cili në ato momente ishte pa bluzë – u bënë menjëherë virale në rrjet.

Princesha Ingrid Alexandra, e cila është e dyta në radhë për fronin mbretëror norvegjez dhe pritet të bëhet monarkja e parë femër e vendit pas më shumë se gjashtë shekujsh, udhëtoi drejt SHBA-ve për të zëvendësuar babain e saj, Princin e Kurorës Haakon. Ky i fundit e anuloi udhëtimin pasi bashkëshortja e tij, Mette-Marit, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Kjo vizitë shënoi gjithashtu paraqitjen e parë zyrtare publike të Princeshës Ingrid Alexandra që prej operacionit të së ëmës.

Haaland barazon Messin e Mbappé dhe flet për "dhuratën nga Zoti"

Me dygolëshin e shënuar ndaj Brazilit, Haaland ka kapur kuotën e 7 golave në këtë turne, duke u pozicionuar në krye të garës për "Këpucën e Artë" përkrah yjeve si Lionel Messi dhe Kylian Mbappé.

Pas ndeshjes, bomberi norvegjez u shpreh me mjaft vetëbesim për instinktin e tij vrasës para portës:

"Zakonisht, nëse kam një ose dy raste, ato përfundojnë me gola. Nuk e don si e bëj, por gjithçka ka të bëjë me përqendrimin. Mendoj se është një dhuratë nga Zoti."

Haaland shfrytëzoi momentin edhe për t’u dërguar një mesazh frymëzues fëmijëve në vendlindje, duke i ftuar të ëndërrojnë për fanellën e përfaqësueses: "Të luash për Norvegjinë është krenaria më e madhe për një futbollist".

Rrugëtimi historik i Norvegjisë në këtë Botëror do të vijojë të shtunën në Miami, ku në fazën çerekfinale i pret një përballje e zjarrtë kundër Anglisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit