Transmetuar më 06-07-2026, 12:43

MILANO – Një operacion madhor ndërkombëtar i antimafias italiane ka shkatërruar një rrjet tejet të sofistikuar të pastrimit të parave, ku mbi 18 milionë euro të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës shndërroheshin në shufra ari me qëllim fshehjen e origjinës së tyre të paligjshme.

Aksioni i koduar e i shtrirë midis Italisë dhe Kosovës ka çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 2 milionë euro. Ky aktivitet kompleks hetimor u realizua nga Guardia di Finanza (Fiamme Gialle) e Milanos dhe struktura e specializuar SCICO e Romës, në bashkëpunim të ngushtë me Xhandarmërinë Kombëtare të Marsejës (Francë), nën koordinimin e Eurojust dhe Europol.

Hetimet e tanishme janë rrjedhojë e një goditjeje të mëparshme të kryer në shtator të vitit 2025, ku një sindikate transnacionale kriminale iu sekuestruan asete dhe llogari bankare me vlerë mbi 30 milionë euro.

Skema: Paratë e drogës në Francë ktheheshin në shufra ari në Itali

Sipas rindërtimit të skemës nga hetuesit, paratë e mbledhura nga shitja e narkotikëve në Francë – të vlerësuara në të paktën 18 milionë euro përgjatë një periudhe 10-mujore – dërgoheshin dhe përqendroheshin në banesën e një çifti bashkëshortësh nga Kosova, të cilët jetonin në provincën e Alessandrias në Itali.

Pasi grumbulloheshin në këtë banesë, paratë e kesh shndërroheshin në shufra dhe fletë ari të pastër. Për të realizuar këtë proces, rrjeti kishte siguruar bashkëpunimin e operatorëve që vepronin ligjërisht në sektorin e shkrirjes dhe transformimit të metaleve të çmuara në rajonet e Lombardisë dhe Piemontes.

Pasi kthehej në ar, transporti dhe fshehja e pasurisë bëhej shumë më e lehtë. Destinacionet fundore të shufrave të arit, përveç Kosovës, rezulton se ishin Turqia dhe Maroku.

Arrestimi i çiftit kosovar dhe sekuestrimet

Çifti i bashkëshortëve nga Kosova u arrestua në shtatorin e kaluar në Francë, pasi u kapën në flagrancë duke udhëtuar me një automjet, brenda të cilit, në një fund të rremë, kishin fshehur mbi 50 kilogramë shufra ari me cilësi të lartë.

Pas prangosjes së tyre, Guardia di Finanza nisi një hetim të thelluar pasuror mbi llogaritë rrjedhëse, aktivitetet tregtare, makinat luksoze dhe pasuritë e paluajtshme që ky çift zotëronte jashtë Italisë. Ky verifikim ka shërbyer si bazë për operacionin e fundit të sekuestrimit të aseteve të tyre direkte në Kosovë, duke çuar në një tjetër goditje të fortë ndaj strukturës ekonomike të kësaj organizate kriminale.Quotidianepiemontese

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit