Transmetuar më 06-07-2026, 12:40

ATHINË – Shteti fqinj, Greqia, është përfshirë nga një valë masive zjarresh gjatë fundjavës, duke vënë në provë të vështirë të gjithë mekanizmin e Mbrojtjes Civile. Sipas të dhënave të fundit zyrtare, vetëm në 48 orët e fundit në territorin grek janë regjistruar 96 vatra aktive zjarri, shumica e të cilave kanë rënë thuajse në mënyrë të simultane.

Vatra më e madhe dhe më problematike është shënuar në zonën e Oinoit, në Mandra të rajonit të Atikës. Për vënien nën kontroll të flakëve u desh një mobilizim masiv, ku u angazhuan 210 zjarrfikës, 76 automjete, dhjetëra vullnetarë, si dhe 29 mjete ajrore që ndërhynë nga lart. Paralelisht, shërbimet e emergjencave kanë luftuar me flakët edhe në Rodos, Selanik e Halkidiki.

Rrezik i kategorisë 4 dhe apeli për qytetarët

Autoritetet e emergjencave kanë lëshuar një paralajmërim të kodit të kuq edhe për këtë fillim jave, duke specifikuar se ekziston një rrezik tejet i lartë për rënien e zjarreve (Kategoria 4) në disa rajone kyçe, përfshirë sërish Atikën dhe ishullin Evia.

Mbrojtja Civile dhe Departamenti i Zjarrfikësve u kanë bërë thirrje të prerë qytetarëve dhe turistëve që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprimtari në natyrë që mund të gjenerojë shkëndija dhe të kujdesen për pastrimin e parcelave apo zonave të tyre të jashtme nga barishtet e thata.

Ashpërsimi i masave: Mbi 640 mijë euro gjoba dhe dhjetëra prangosje

Përballë kësaj situate të përsëritur çdo vit, drejtësia dhe policia greke kanë ndjekur një linjë të ashpër penale dhe administrative ndaj shkelësve. Sipas bilancit të periudhës nga 1 janari deri më 5 korrik 2026, në Greqi janë vendosur në total 521 gjoba administrative, të cilat kapin vlerën e 645,080 eurove. Po ashtu, gjatë këtij viti janë ekzekutuar 164 arrestime të personave të akuzuar direkt për veprën penale të zjarrvënies me dashje.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit