

DIVJAKË – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur zyrtarisht një hetim të thelluar ndaj të gjithë zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Divjakë, nën dyshimin e konsumimit të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Ky reagim vjen menjëherë pas zbulimit të një parcele të madhe të kultivimit të bimëve narkotike në këtë territor, ku dyshohet se nga ana e strukturave policore lokale nuk janë ushtruar kontrollet e nevojshme periodike për parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni kriminal. Rasti i zyrtarëve të policisë është referuar tashmë për vlerësim në Prokurori.
Operacioni i Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier ka çuar në zbulimin e një plantacioni në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një sipërfaqe toke në pronësi shtetërore. Në këtë zonë, trafikantët kishin përshtatur edhe një ambient të posaçëm për tharjen dhe përpunimin e drogës. Gjatë ndërhyrjes, forcat e rendit arritën të asgjësonin dhe sekuestronin në cilësinë e provës materiale:
1,426 bimë kanabis sativa të kultivuara;
37 kilogramë lëndë narkotike kanabis në proces tharjeje;
7 kilogramë kanabis të përpunuar në formë boçesh.
Procedohen zyrtarët e Administratës së Zonave të Mbrojtura
Përveç hetimit mbi uniformat e blu, goditja ka përfshirë edhe strukturat përgjegjëse për monitorimin e territorit mjedisor. Specialistët e Narkotikëve kanë referuar materialet në Prokurori duke nisur procedimin penal në gjendje të lirë për tre punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura (AdZM) në qarkun Fier, të cilët akuzohen po ashtu për shpërdorim detyre.
Shtetasit e vënë nën hetim janë:
E. T., 33 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori;
F. H., 37 vjeç, me detyrë specialist menaxhimi;
G. A., 53 vjeç, me detyrë roje mjedisore.
Ndërkaq, grupi hetimor në bashkëpunim me prokurorinë po vijon punën intensive për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e autorëve që kanë kultivuar parcelën e kanabisit, si dhe për zbardhjen e plotë të përgjegjësive administrative apo penale të zyrtarëve shtetërorë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






