Transmetuar më 06-07-2026, 12:25

TIRANË – Janë zbardhur detaje të reja nga dëshmia e ish-ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili u paraqit këtë të hënë përpara Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për të dëshmuar në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e SPAK-ut, Oketa ka sqaruar pozicionin e tij dhe procedurat e ndjekura nga dikasteri që ai drejtonte gjatë periudhës mars 2008 – shtator 2009, duke mbrojtur vendimmarrjen e tij dhe duke theksuar se është ndjekur i njëjti standard ligjor si me çdo pronë tjetër që i kthehej pronarëve legjitimë.

"Klubi Partizani kishte zero interes për Ministrinë e Mbrojtjes"

I pyetur mbi rëndësinë e këtij kompleksi, ish-ministri deklaroi prerazi se ky objekt nuk kishte asnjë vlerë strategjike apo përdorimi për ushtrinë shqiptare, pasi kishte dalë jashtë planit të përhapjes pas vitit 1990.

"Në kujtesën time, Klubi Partizani ka pasur zero interes për Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk më kujtohet të ketë pasur ndonjë rëndësi të veçantë… Kam qenë ministër i Mbrojtjes dhe jo ministër i Sportit. Nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë për ne, sepse nuk ishte një pronë që mund të përdorej për Ministrinë e Mbrojtjes. Klubi Partizani, në kujtesën time, ka qenë një klub privat. Unë nuk e kam konsideruar fare."

Oketa sqaroi se çështja i ka mbërritur në zyrë si një praktikë zyrtare e plotë, ku pronarët e tokës kishin kryer edhe pagesat përkatëse financiare, ndaj nuk kishte asnjë arsye ligjore për ta mbajtur peng atë pronë.

Përplasjet me ushtarakët dhe urdhri ndaj Gjeneral Vladimir Qirjazit

Prokurorët e SPAK-ut u ndalën gjatë në pyetjet e tyre lidhur me kundërshtitë që disa ushtarakë të lartë kishin shfaqur në atë kohë për dorëzimin e pronës, specifikisht për rolin e Gjeneral Vladimir Qirjazit, i cili drejtonte Komandën Mbështetëse. Oketa u shpreh se mbajtja e përgjegjësive u takon edhe gjeneralëve:

"Kishte ushtarakë që e kundërshtonin këtë çështje, por meqë kishte ardhur përgjigjja nga Këshilli i Ministrave, atëherë u kam dhënë direktivën që të ndiqeshin të gjitha procedurat ligjore në fuqi… Nëse gjeneralët shqiptarë janë vetëm për të mbajtur yjet mbi shpatulla dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi, atëherë ky është problemi i tyre."

Lidhur me ngarkimin e Komandës Mbështetëse për dorëzimin e objektit, Oketa kujtoi se i vetmi debat teknik që ekzistonte ishte fakti se prona nuk ishte e regjistruar, por urdhri i tij ka qenë i saktë dhe konform ligjit. Ai shtoi se si ministër ka firmosur shumë delegime kompetencash për stafin e tij civil dhe ushtarak prej 12 mijë punonjësish.

"Nuk e dija që përfitonte Malltezi, por do të veproja njësoj"

Gjatë dëshmisë së tij, Gazmend Oketa pohoi se nuk ka pasur dijeni që mes përfituesve të asaj prone ishte dhëndri i ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi, por nënvizoi se ky fakt nuk do të ndryshonte asgjë në vendimmarrjen e tij institucionale.

"Nuk më kujtohet që të kem dëgjuar emrin e Jamarbër Malltezit si përfitues i pronës, por sido që të ishte, nuk do të përbënte problem për ne. Edhe nëse do të isha në të njëjtën situatë dhe të më vinte e njëjta praktikë, patjetër do të bëja të njëjtën gjë."

Ish-ministri u shpreh i gatshëm t’i dalë për zot çdo dokumenti që mban firmën e tij, duke përsëritur se edhe sot po të kthehej pas në kohë, do të ndiqte sërish të njëjtën procedurë për kthimin e pronave te qytetarët.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit