

TIRANË – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rinisur këtë të hënë seancat dëshmimore lidhur me dosjen voluminoze të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Në ambientet e GJKKO-së u paraqit sot rreth orës 10:00 ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Ai është thirrur nga organet e drejtësisë në cilësinë e dëshmitarit për të sqaruar procedurat dhe vendimmarrjet e dikasterit që ai drejtonte gjatë periudhës së privatizimit të pronave të ushtrisë, kohë kur qeveria kryesohej nga Sali Berisha.
Paralelisht me zhvillimet në GJKKO, mësohet se drejt Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është nisur edhe vetë ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, së bashku me dhëndrin e tij, ndodhet nën masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për këtë çështje dhe paraqitja e sotme vjen në zbatim të këtij urdhri gjyqësor.
Hetimet për dosjen “Partizani” po njohin një intensifikim të dukshëm javët e fundit. Kujtojmë që vetëm pak ditë më parë, për të njëjtën çështje u thirr dhe dëshmoi përpara prokurorëve të posaçëm edhe një tjetër ish-anëtar i kabinetit qeveritar të asaj kohe, ish-ministri Ylli Pango. Drejtësia po kalon në sitë të gjithë zyrtarët e lartë që kanë pasur lidhje direkte apo indirekte me firmat e hedhura mbi praktikat e privatizimit të ish-klubit sportiv.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





