

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta nisë javën me një mesazh të koduar për kundërshtarët e tij politikë, duke u folur atyre përmes vargjeve të letërsisë shqipe. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka publikuar poezinë e njohur të Dritëro Agollit, "Kundërshtarëve të mi", duke e cilësuar atë mjaft aktuale për realitetin politik.
"MIRËMËNGJES dhe me këtë vjershë të bukur aktuale të Dritëroit, ju uroj një javë të mbarë", shkruan Rama krahas vargjeve të shpërndara në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Poezia e përzgjedhur nga kryeministri është një ironi therëse ndaj sulmeve dhe akuzave politike. Përmes vargjeve të Agollit, Rama përcjell mesazhin se "balta" e hedhur nga kundërshtarët nuk e dëmton, por përkundrazi, kthehet në një "plantacion" blerues.
Poezia e plotë e shpërndarë nga kryeministri:
Kundërshtarëve të mi Ju aq baltë po hidhni mbi mua, Sa në baltën që kam përmbi trup, Mund të mbijë një dardhë a një ftua, Një korije e madhe me dushk.
Në korije dhe dru mund të mbani, Mund të shkoni për gjah me langonj, Mund të ngjiti në pemë të hani, Po të doni dhe dardha dhe ftonj.
Balta ngrihet mbi mua e pasur, Sa mbi baltën korija bleron… Trupin tim ma bleruat padashur Dhe ma bëtë vërtet plantacion.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





