Transmetuar më 06-07-2026, 07:54

Bilanci i viktimave nga tërmetet shkatërruese që goditën Venezuelën veriore më 24 qershor vijon të rëndohet. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga autoritetet, numri i të vdekurve ka arritur në 3,342, ndërsa mbi 16,700 persona kanë mbetur të plagosur.

Shifrat u bënë publike nga presidenti i Parlamentit, Jorge Rodríguez, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një numër zyrtar të personave të zhdukur. Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se të zhdukurit mund të jenë deri në 50 mijë, ndërsa vlerësime të tjera flasin për rreth 10 mijë persona.

Me kalimin e ditëve, shpresat për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja janë zbehur ndjeshëm. Pas përfundimit të fazës intensive të kërkim-shpëtimit, një pjesë e mbi 4,000 efektivëve të ardhur nga vende të ndryshme kanë nisur të largohen nga zonat e prekura.

Ndërkohë, në varrezat La Esperanza, në Catia la Mar, kanë nisur ceremonitë e varrimit për viktimat që ende nuk janë identifikuar. Mbi 150 trupa janë varrosur në varre individuale të shënuara vetëm me një numër identifikimi dhe datën e vdekjes, 24 qershor 2026, në vend të emrit.

Sipas autoriteteve lokale, në varreza janë hapur 159 varre për viktimat e paidentifikuara, ndërsa 95 të tjera u përkasin personave që janë identifikuar nga familjarët. Çdo varr është shënuar me një kryq të bardhë dhe një buqetë të vogël me lule, ndërsa makineritë vijojnë të hapin llogore të reja për viktimat që po nxirren nga rrënojat.

Pamjet nga varrezat kanë prekur opinionin publik, duke u kthyer në simbol të përmasave të tragjedisë që ka goditur Venezuelën pas një prej fatkeqësive natyrore më të rënda në historinë e vendit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit