Transmetuar më 06-07-2026, 07:52

Ministria e Financave ka sqaruar mënyrën se si do të zbatohet lehtësia fiskale e parashikuar në draftin e ri për taksën e pasurisë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, zbritja prej 50% e vlerës së banesës do të aplikohet vetëm për një pronë, e cila do të konsiderohet si banesa e parë e individit.

Sipas projektligjit, në rastet kur një qytetar zotëron vetëm një banesë, lehtësia fiskale do të zbatohet automatikisht. Ndërsa për individët që kanë në pronësi ose posedim më shumë se një banesë, përfitimi do të kushtëzohet nga një formular vetëdeklarimi, përmes të cilit pronari do të zgjedhë se cila prej tyre do të trajtohet si banesa e parë.

Kjo do të thotë se një individ që zotëron, për shembull, një apartament në Tiranë dhe një tjetër në Durrës, mund të deklarojë njërën prej tyre si banesë të parë për të përfituar nga norma e reduktuar e taksimit. Për çdo pronë tjetër në pronësi, taksa do të llogaritet mbi vlerën e plotë, pa asnjë lehtësi fiskale.

Drafti parashikon gjithashtu ndryshime të rëndësishme në formulën e llogaritjes së taksës së ndërtesës. Për banesën e parë, detyrimi do të llogaritet mbi 50% të vlerës së pronës, por vetëm në rastet kur vlera e saj nuk kalon dyfishin e pragut maksimal të patatueshëm, i cili ndryshon sipas bashkive.

Nëse vlera e banesës tejkalon këtë kufi, qytetari nuk do të përfitojë zbritjen prej 50% të vlerës së pronës. Në këtë rast, si pjesë e patatueshme do të njihet vetëm pragu i përcaktuar në ligj, ndërsa pjesa tjetër e vlerës do t’i nënshtrohet taksimit.

Projektligji propozon edhe rritjen e normës së taksës së ndërtesës nga 0.05%, që është aktualisht në fuqi, në një interval nga 0.1% deri në 0.2% të vlerës së pronës. Kjo do të thotë se, në varësi të normës që do të miratohet, detyrimi vjetor për pronarët e banesave mund të rritet nga dy deri në katër herë krahasuar me nivelin aktual.

Sipas shembullit të publikuar nga Ministria e Financave, një apartament 90 metra katrorë në Tiranë, me vlerë reference 17.35 milionë lekë, do të paguajë rreth 8,952 lekë në vit nëse norma e taksës vendoset në 0.1%. Në rast se norma miratohet në nivelin maksimal prej 0.2%, detyrimi vjetor do të arrijë në rreth 17,352 lekë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit