

TIRANË – Përdorimi i lenteve të kontaktit po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm, veçanërisht te të rinjtë që zgjedhin t’i zëvendësojnë syzet optike. Megjithatë, mjekët okulistë paralajmërojnë se përdorimi i tyre pa respektuar rregullat e higjienës mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin e syve.
Sipas okulistes Megi Popa, lentet e kontaktit nuk duhet të mbahen për periudha të gjata dhe rekomandohet që të hiqen gjatë natës për të shmangur rrezikun e infeksioneve.
“Nuk duhen mbajtur shumë gjatë, duhet të hiqen natën. Janë përçues të baktereve nëse nuk mbahet higjienë e mirë”, shprehet mjekja.
Mjekët theksojnë se rreziku rritet gjatë sezonit veror, kur shumë persona futen në det, pishinë apo edhe në dush pa hequr lentet. Kontakti me ujin mund të favorizojë zhvillimin e infeksioneve të rrezikshme, të cilat në raste të caktuara mund të shkaktojnë dëmtime të përhershme të kornesë dhe të shikimit.
Specialistët këshillojnë që, nëse një person futet në ujë me lentet e kontaktit, ato të hiqen sa më shpejt, të mos ripërdoren nëse janë të njëpërdorshme dhe të kërkohet menjëherë konsultë me një mjek okulist në rast se shfaqen skuqje, dhimbje apo turbullim i shikimit.
Mjekët rikujtojnë se lentet e kontaktit janë pajisje mjekësore dhe jo aksesorë estetikë, ndaj përdorimi i tyre duhet të bëhet gjithmonë sipas udhëzimeve të specialistit dhe me kujdes maksimal ndaj higjienës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






