Transmetuar më 05-07-2026, 19:32

TIRANË – Rritja e çmimeve në bregdetin shqiptar gjatë sezonit veror 2026 po ndryshon sjelljen e pushuesve vendas, të cilët po krahasojnë gjithnjë e më shumë kostot me destinacione si Greqia dhe Turqia.

Për vite me radhë, Shqipëria është promovuar si një destinacion ekonomik në Mesdhe, por këtë verë diferenca e çmimeve me vendet fqinje është ngushtuar ndjeshëm, veçanërisht në zonat më të frekuentuara të rivierës.

Dhërmiu, Jala, Himara, Ksamili dhe Saranda mbeten ndër destinacionet më të kërkuara, por edhe ndër më të kushtueshmit. Sipas tarifave të publikuara nga strukturat akomoduese, çmimet për një dhomë dyshe në hotele me 3 ose 4 yje variojnë nga 80 deri në 150 euro për natë në Himarë dhe Sarandë, ndërsa në Dhërmi dhe Jalë arrijnë nga 120 deri në 250 euro. Resortet dhe vilat premium në disa raste kapin edhe 300–400 euro për natë.

Edhe tregu i apartamenteve turistike ka pësuar rritje. Në Ksamil, një apartament për katër persona kushton nga 100 deri në 180 euro për natë gjatë sezonit të pikut, ndërsa pronat pranë vijës bregdetare mund të kalojnë 200 euro për natë. Kjo përkthehet në një kosto prej 700 deri në mbi 1,500 euro vetëm për akomodimin e një familjeje gjatë një jave pushimesh.

Oferta e hoteleve "all inclusive" në Shqipëri mbetet më e kufizuar krahasuar me Turqinë dhe Egjiptin. Paketat për një familje me katër anëtarë kushtojnë nga 1,000 deri në 2,000 euro për një javë, ndërsa operatorët turistikë theksojnë se diferenca me paketat në Antalia është bërë shumë më e vogël se në vitet e kaluara.

Në rritje janë edhe kostot e shërbimeve në plazh. Një set me dy shezlongë dhe çadër kushton nga 15 deri në 30 euro në ditë, ndërsa në zonat më ekskluzive të Jalës dhe Dhërmiut çmimet arrijnë deri në 50 euro.

Edhe shpenzimet për ushqim kanë një ndikim të ndjeshëm në buxhetin e pushimeve. Një drekë ose darkë për një familje me katër persona varion nga 40 deri në 80 euro, ndërsa në restorantet më të njohura pranë bregdetit fatura mund të kalojë edhe 100 euro.

Sipas operatorëve turistikë, këto zhvillime kanë bërë që shumë pushues shqiptarë të analizojnë më me kujdes raportin mes kostos dhe cilësisë, duke krahasuar ofertat vendase me destinacione si Korfuzi, Parga, Halkidiki apo paketat "all inclusive" në Turqi. Në disa raste, rezervimet e hershme për pushime jashtë vendit rezultojnë me kosto të ngjashme ose edhe më të ulëta se një pushim i organizuar individualisht në bregdetin shqiptar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit