

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka ngritur alarmin për rrezik të shtuar të zjarreve në pyje gjatë pasdites së së dielës dhe ditës së hënë, duke paralajmëruar kushte të favorshme për përhapjen e flakëve në disa zona të vendit.
Sipas parashikimeve zyrtare, qarqet më të rrezikuara janë **Fieri, Lezha dhe Durrësi**, ku niveli i rrezikut për zjarre në pyje vlerësohet i lartë.
Ndërkohë, në qarqet **Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër** pritet një nivel rreziku i moderuar, ndërsa në **Kukës, Dibër dhe Korçë** rreziku mbetet i ulët.
IGJEO thekson se në disa zona specifike të vendit rreziku mund të jetë lokalisht i lartë, veçanërisht në jug të Shkodrës, perëndim të Tiranës, Elbasanit dhe Beratit, si dhe në veriperëndim të Vlorës.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur vendi po përballet me disa vatra aktive zjarri, përfshirë edhe situatën e rënduar në Drizë të Fierit, ku flakët kanë shkaktuar evakuime dhe dëme materiale.
Sa i përket kushteve meteorologjike, temperaturat maksimale të së hënës pritet të arrijnë deri në 31°C në zonat bregdetare, 34°C në ultësirë dhe rreth 27°C në zonat malore. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, por herë pas here pritet të forcohet, sidomos në zonat malore dhe bregdetare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






