

TEHERAN – Në kryeqytetin iranian po zhvillohen homazhe masive në nder të ish-liderit suprem Ajatollah Ali Khamenei, ku mijëra qytetarë janë mbledhur për t’i bërë nderimet e fundit.
Gjatë ceremonive të zhvilluara në Xhaminë e Madhe të Teheranit, tre prej djemve të tij – Mostafa, Meysam dhe Masoud Khamenei – u shfaqën pranë arkivoleve, duke u lutur dhe duke shprehur dhimbjen për humbjen e familjarëve.
Megjithatë, bie në sy mungesa e Mojtaba Khameneit, i konsideruar si një nga figurat e mundshme për trashëgiminë politike të familjes. Sipas raportimeve të ndryshme, ai dyshohet se është plagosur rëndë në sulmet e mëparshme dhe nuk është parë në publik gjatë ceremonive.
Televizioni shtetëror iranian transmetoi pamje nga homazhet, ku mijëra qytetarë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, përfshirë presidentin Masoud Pezeshkian dhe drejtues të Gardës Revolucionare, morën pjesë në ceremonitë mortore.
Autoritetet iraniane kanë organizuar një javë zie shtetërore, gjatë së cilës pritet të zhvillohen ceremoni të shumta në Teheran dhe qytete të tjera të vendit, si dhe në vendet e shenjta shiite në Irak, përfshirë Qom, Najaf dhe Qerbela, përpara varrimit përfundimtar në Mashhad.
Sipas autoriteteve, pritet një pjesëmarrje masive qytetare, ndërsa ceremonitë janë cilësuar si një shfaqje uniteti dhe besnikërie ndaj Republikës Islamike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






