

SHBA – Qendërmbrojtësi i Arsenalit, Gabriel Magalhães, dhe sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, pritet të përballen në një duel të fortë që mund të vendosë fatin e kualifikimit në çerekfinalet e Kupës së Botës, me Norvegjinë që kërkon një kualifikim historik.
Sfida vjen në një kontekst të mbushur me rivalitet të krijuar në Premier League, ku dy lojtarët kanë qenë shpesh në qendër të përplasjeve direkte në duelet mes Arsenalit dhe Manchester Cityt, gjatë garës për titull në sezonet e fundit.
Tensionet mes tyre u rritën ndjeshëm në një përballje të vitit 2024 në “Etihad Stadium”, ku një ndeshje dramatike përfundoi me polemika të shumta. Episodi më i përfolur mbetet momenti kur Haaland goditi topin në drejtim të Gabrielit pas barazimit të minutave të fundit, çka solli përplasje verbale mes lojtarëve dhe stafit teknik të të dy skuadrave.
Rivaliteti u thellua më tej në ndeshjet pasuese, ku të dy lojtarët janë përfshirë në incidente të ndryshme gjatë festimeve dhe dueleve direkte në fushë, duke nxitur reagime të forta edhe nga analistët sportivë në Angli.
Në planin ndërkombëtar, përballja merr tjetër dimension, pasi Norvegjia synon të shkruajë histori duke eliminuar Brazilin, pesë herë kampion bote. Nga ana tjetër, Brazili hyn në këtë fazë me një bilanc të fortë mbrojtës, por pa shkëlqimin ofensiv tipik të viteve të mëparshme.
Erling Haaland ka qenë një nga lojtarët më vendimtarë të turneut, duke shënuar pesë gola dhe duke u pozicionuar mes pretendentëve për “Këpucën e Artë”, vetëm pas Kylian Mbappé dhe Lionel Messi.
Norvegjia, e cila është renditur e dyta në një grup të vështirë me Francën dhe Senegalit, sheh te Haaland shpresën kryesore për një kualifikim historik në çerekfinale, ku mund të përballet me Anglinë ose Meksikën.
Në anën tjetër, Brazili mbetet favorit historik, por përballja pritet të jetë një test i fortë për të dy skuadrat, ku rivaliteti personal mes Haaland dhe Gabriel mund të ketë ndikim edhe në rrjedhën e ndeshjes.


Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






