Transmetuar më 05-07-2026, 17:40

TIRANË – Ka nisur lirimi i protestuesve të arrestuar pas tensioneve të regjistruara në protestën e zhvilluar të enjten në kryeqytet. Të ndaluarit janë nxjerrë nga blloku i sigurisë në rrugën “Mine Peza” dhe janë pritur nga familjarë dhe qytetarë me përqafime e duartrokitje.

Vendimi vjen pas seancës në Gjykatën e Tiranës, e cila shpalli masat e sigurisë për 19 protestuesit e arrestuar gjatë përplasjes me policinë në tubimin e 2 korrikut.

Për dy prej të ndaluarve, Everest Bardh dhe Ervin Gega, gjykata caktoi masën e “arrest shtëpie”, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për “arrest në burg”, me argumentin se dyshohet se kanë kryer akte dhune dhe dëmtim të një automjeti policie.

Ndërkohë, Altin Hila, i cili u bë i njohur gjatë protestës pasi u shfaq me fëmijën e tij të sëmurë, është lënë i lirë. Fillimisht Prokuroria kishte kërkuar “arrest në burg”, ndërsa më pas qëndrimi u zbut në “arrest shtëpie”.

Gjykata vendosi gjithashtu masën “detyrim për paraqitje” për 12 protestues, ndërsa 5 të tjerë u lanë të lirë pa asnjë masë sigurie.

Seanca gjyqësore zgjati mbi pesë orë dhe u ndërpre për një periudhë të shkurtër, pasi një nga protestuesit, Niko Carklaj, shfaqi probleme shëndetësore për shkak të epilepsisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit