Transmetuar më 05-07-2026, 17:03

FIER – Zjarri që përfshiu zonën e Drizës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në stacionin kryesor të furnizimit me ujë të qytetit të Fierit, duke nxjerrë jashtë funksioni një pjesë të bazës materiale dhe pajisjeve teknike.

Sipas drejtorit të Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, Gentian Alikaj, flakët janë shuar dhe situata është vënë nën kontroll, ndërsa në terren janë marrë masa për sigurimin e perimetrit të stacionit.

Alikaj theksoi se ndërhyrja e parë për neutralizimin e zjarrit është kryer nga punonjësit e ujësjellësit, pasi në momentet e para shërbimet zjarrfikëse ishin të angazhuara kryesisht në mbrojtjen e banesave të rrezikuara nga flakët.

“Dëmet janë të konsiderueshme në bazën materiale, përfshirë linjat e furnizimit me ujë, mjetet motorike dhe transformatorët, të cilët janë jashtë funksioni. Kemi marrë masa për ruajtjen e perimetrit të sigurisë, në mënyrë që furnizimi me ujë të qytetit të mos ndërpritet,” u shpreh Alikaj.

Ai shtoi se prioritet në atë moment ka qenë mbrojtja e jetës së banorëve dhe banesave, duke bërë që zjarrfikëset të fokusohen fillimisht në zonat e banuara. Sipas tij, ndërhyrja më e plotë është bërë më pas, kur situata është stabilizuar.

“Automjetet, një pjesë kanë qenë jashtë funksionit, një pjesë funksionale. Aktualisht nuk ka probleme dhe furnizimi me ujë i qytetit të Fierit nuk është ndërprerë,” deklaroi drejtori i UK Fier.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit