

FIER – Situata në fshatin Drizë të Fierit vijon të paraqitet kritike, pasi flakët e zjarrit po përhapen me shpejtësi dhe po rrezikojnë banesat në zonë.
Zjarri, i favorizuar nga erërat e forta, ka krijuar një front të gjerë flakësh, ndërsa tymi ka mbuluar të gjithë zonën, duke vështirësuar edhe ndërhyrjen në terren. Autoritetet bëjnë me dije se ndërhyrja nga ajri me helikopter po vijon për të frenuar përhapjen e vatrës së zjarrit.
Në terren ndodhen rreth 10 mjete zjarrfikëse dhe rreth 50 efektivë të angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve, në përpjekje për të mbrojtur banesat pranë zonës së rrezikuar.
Banorët e zonës shprehen të frikësuar për shkak të afërsisë së flakëve me shtëpitë e tyre. “Si ky zjarr nuk ka rënë asnjëherë më parë. U frikësuam shumë, ishte zjarr i madh”, shprehet një banor.
Një tjetër banore thotë se situata ka qenë e papritur dhe alarmante: “Ishim në shtëpi duke ngrënë bukë kur dolëm dhe pamë zjarrin. Jemi shumë të trembur, po i afrohet banesave dhe s’dimë çfarë të bëjmë”.
Autoritetet vijojnë punën për izolimin e zjarrit, ndërsa situata mbetet ende e paqëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






