

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, ku u përdor simbolika e një arkivoli, duke deklaruar se “shqiptarët i organizuan Edi Ramës funeralin politik”.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Berisha e krahasoi protestën me ngjarjet e 20 shkurtit 1991, duke thënë se qytetarët, sipas tij, “përsëritën historinë” dhe shprehën në mënyrë simbolike qëndrimin e tyre ndaj qeverisë.
Ai u shpreh se qindra mijëra protestues nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora morën pjesë në tubim, ndërsa theksoi se Partia Demokratike do të qëndrojë në mbështetje të plotë të protestës dhe kërkesave të tyre, të cilat i cilësoi edhe si kërkesa të vetë PD-së.
Sipas Berishës, protestuesit “përmbysën simbolikisht shtatoren e Edi Ramës” dhe shprehën, siç tha ai, kërkesën për ndryshim politik në vend.
Duke iu referuar reagimeve të kryeministrit pas protestës, Berisha kritikoi qëndrimin e tij, duke e akuzuar për arrogancë dhe mungesë reflektimi ndaj mesazhit të qytetarëve.
Në fund të deklaratës së tij, kreu i PD-së kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe lirimin e personave të arrestuar gjatë protestës, ndërsa paralajmëroi për vijimin e protestave në ditët në vijim.
Mesazhi i kryetarit të PD, Sali Berisha:
Mirëdita.
Mbrëmë qindra mijëra shqiptarë, të mbledhur nga të katër anët e Shqipërisë dhe mbarë bota, ripërsëritën sipas njerëzve të agjencive më prestigjioze të lajmeve në botë, 20 shkurtin e vitit 1991.
Ditën në të cilën shqiptarët përmbysën dhe zvarritën shtatoren e Enver Hoxhës dhe së bashku me të përmbysën kultin më të keq në të gjithë historinë e tyre.
Mbrëmë, qindra mijëra protestues përmbysën, para zyrave të tij, shtatoren e narkodiktatorit Edi Rama dhe i organizuan, me simbolizma, funeralin e tij politik.
Sot në vend të dorëheqjes, Edi Rama urdhëroi përsëri, të provojë apo të reklamojë suksese dhe të anatemojë protestën e qytetarëve.
Ai foli për një korrje të zezë dhe ujërat që rrjedhin ndër të.
Në të vërtetë mbrëmë në Tiranë ishte deti i ujërave të pastërta të popullit shqiptar që kërkon largimin e kreut të meduzës dhe qeverisë së tij kriminale, organizatës kriminale.
Ndaj dhe një herë, kërkoj në emër të Partisë Demokratike, dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe plotësimin e pesë kërkesave të protestuesve, të cilat janë kërkesa njëkohësisht të Partisë Demokratike.
Duke shprehur mirënjohje për ata qindra mijëra shqiptarë që protestuan dje në mënyrën më të fuqishme, më madhështore, garantoj se Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në mbështetje të protestës dhe kërkesave të tyre.
Sikundër denoncoj me forcën më të madhe qëndrimin indiferent, kërcënues, fyes të Edi Ramës dhe sejmenëve të tij.
Dhe paralajmëroj Edi Ramën edhe një herë, i cili para tre ditësh me krenari u shpreh se kishte monopolin absolut të dhunës:
Liro menjëherë të arrestuarit dhe hiq dorë nga dhuna.
Mos harro, se në përballje me popullin, fuqia nukleare i takon popullit dhe ajo është shkatërrimtare për ty dhe regjimin tënd.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






