Transmetuar më 05-07-2026, 16:09

Një skandal ka përfshirë policinë e qytetit të Zyrihut në Zvicër, pasi dy punonjëse të këtij institucioni rezultojnë të kenë pasur kontakte të afërta me një 35-vjeçar shqiptar, i dënuar më herët për disa vepra penale, përfshirë edhe përdhunime të shumëfishta.

Sipas mediave zvicerane, rasti ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e të dhënave policore dhe ruajtjen e sekretit zyrtar.

Njëra prej ish-policeve është dënuar në muajin prill 2026 me urdhër penal, pasi i kishte dhënë 35-vjeçarit akses në sistemin informativ policor “Polis”.

Sipas raportimeve, gruaja i kishte lënë atij në dispozicion telefonin e shërbimit të zhbllokuar, duke i mundësuar të kryente kërkime në sistem. Pas kësaj ngjarjeje, ajo nuk është më pjesë e policisë së qytetit të Zyrihut.

Ndërkohë, edhe një tjetër ish-punonjëse e policisë së Zyrihut dyshohet se ka pasur lidhje me të njëjtin person. Mediat zvicerane raportojnë se ndaj saj po zhvillohet një hetim penal nën dyshimin për shkelje të sekretit zyrtar. Deri në përfundimin e procedurave, për të vlen parimi i prezumimit të pafajësisë. Edhe kjo grua nuk punon më në radhët e policisë së qytetit, ndërsa sipas autoriteteve zvicerane ajo është larguar nga trupa në dhjetor 2025 dhe nuk është shkarkuar.

Në qendër të skandalit është një 35-vjeçar shqiptaro-zviceran, i cili sipas mediave lokale shfaqej në rrjetet sociale si sipërmarrës i suksesshëm. Ai publikonte pamje nga festa në varka, dalje në ambiente luksoze dhe lëvizje me makina të shtrenjta, përfshirë edhe Ferrari.

Mediat zvicerane shkruajnë se 35-vjeçari kishte lidhje me qarqe të pasura të Zyrihut, por edhe me persona të botës së krimit të organizuar. Sipas raportimeve, ai ka qenë më herët “krahu i djathtë” i një bosi droge, duke siguruar makina luksoze dhe pushime të shtrenjta.

Ai rezulton gjithashtu me disa dënime të mëparshme, ndër të tjera për përdhunime të shumëfishta, vepra penale të lidhura me drogën dhe shkelje në qarkullimin rrugor. Në qarqet hetimore, sipas mediave zvicerane, 35-vjeçari konsiderohej si person me lidhje me skena të rënda kriminale.

Policia e qytetit të Cyrihut ka konfirmuar se dy gratë nuk janë më pjesë e trupës, por nuk ka dhënë detaje të tjera për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale. Zyrtarë të policisë kanë theksuar se institucioni ka prej vitit 2015 një sektor të posaçëm për trajnime parandaluese lidhur me shkeljet në detyrë dhe ruajtjen e sekretit zyrtar.

Sipas policisë, punonjësit sensibilizohen si gjatë formimit profesional, ashtu edhe në kurse të mëvonshme trajnimi. Megjithatë, autoritetet kanë sqaruar se sjellja e punonjësve jashtë orarit të punës është jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të institucionit, ndonëse ligji i personelit kërkon që ata të mos dëmtojnë imazhin e punëdhënësit edhe në jetën private.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit