Transmetuar më 05-07-2026, 15:26

SHKODËR – Policia e Shkodrës ka arrestuar në flagrancë 38-vjeçarin Euglen Buraku gjatë një operacioni të zhvilluar në fshatin Stajkë, në Vaun e Dejës, pasi në automjetin me të cilin udhëtonte u gjet një mjet shpërthyes i telekomanduar.

Sipas Policisë, operacioni i koduar "Remote" u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Shkodër, pas informacioneve operative se një person po transportonte një lëndë shpërthyese drejt zonës së Shkodrës.

Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët sekuestruan një bombë me telekomandë, të lidhur me një telefon celular dhe të dyshuar si e gatshme për aktivizim në distancë. Në mjet u gjetën gjithashtu një maskë, dy telefona celularë dhe sende të tjera që po administrohen si prova materiale.

Sipas hetimeve paraprake, bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarit, 34-vjeçari me inicialet E.P., ka arritur të largohet gjatë operacionit dhe është shpallur në kërkim.

Policia vijon hetimet për të zbardhur destinacionin dhe qëllimin e transportimit të lëndës plasëse, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit