

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka lëshuar kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama në një prononcim për gazetën italiane “Il Foglio”, duke theksuar se mohimi i zemërimit qytetar dhe zhvendosja e debatit te teoritë konspirative nuk i shërben zgjidhjes së krizës.
“Shqipëria meriton më shumë sesa të mohosh realitetin, të tallesh me protestuesit, të polemizosh për numrin e tyre, apo të ndjekësh teori konspirative duke injoruar thelbin e çështjes: zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët”, është shprehur Bushati.
Në një shkrim të gjatë nga Tirana, me titull “Revolta e Flamingove”, gazetari italian Nicola Mirenzi ndalet te arsyet pse protestuesit kanë dalë në rrugë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe largimin e klasës së vjetër politike.
Në artikull përshkruhet edhe kontrasti mes imazhit të dikurshëm të Ramës në Perëndim, si një politikan modern që po e afronte Shqipërinë me Bashkimin Europian, dhe situatës aktuale, ku protestat kundër tij kanë marrë vëmendje ndërkombëtare.
Sipas “Il Foglio”, Rama e priti protestën me nervozizëm dhe fillimisht e injoroi atë, ashtu siç bënë edhe disa media. Më pas, ai foli për ndërhyrje të huaja, duke pretenduar se shqiptarët po përdoreshin si “mish për top” në një fushatë globale kundër Donald Trumpit.
Në vijim, Rama hodhi edhe dyshime të tjera, duke përmendur Iranin si të përfshirë në një hakmarrje ndaj Shqipërisë për shkak të strehimit të një grupi opozitar iranian. Më pas, sipas artikullit, ai foli edhe për një “pistë greke”, duke pretenduar se Greqia po nxiste revoltën për t’i marrë turistët Shqipërisë.
Në intervistën e tij për “Financial Times”, Rama përdori edhe gjuhë të ashpër ndaj akuzave të protestuesve. “Njerëzit thonë se unë jam kreu i gjithë kësaj. Unë u them: shkoni në djall. Kaq e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari; u takon atyre të provojnë se jam”, citohet të ketë thënë kryeministri.
Pikërisht në këtë kontekst, gazetari italian i është drejtuar Ditmir Bushatit për një koment. Ish-ministri socialist ka kërkuar reflektim serioz dhe veprim konkret politik, duke paralajmëruar se injorimi i zemërimit qytetar mund të ketë pasoja të rënda.
“Nevojitet një reflektim serioz dhe një veprim konkret politik. Të mohosh realitetin, të tallesh me protestuesit, të polemizosh për numrin e tyre, të ndjekësh teori konspirative duke injoruar thelbin e çështjes – pra zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët – do të thotë të luash me zjarrin. Shqipëria meriton më shumë”, ka deklaruar Bushati për “Il Foglio”.
Deklarata e tij vjen si një nga kritikat më të forta nga brenda kampit socialist ndaj mënyrës se si kryeministri Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet protestave dhe pakënaqësisë qytetare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






