

Njëzet e një qytetarët e arrestuar gjatë protestës së 2 korrikut para Kuvendit të Shqipërisë do të dalin sot në orën 09:30 para Gjykatës së Tiranës, ku do të zhvillohet seanca për vlerësimin e arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurisë.
Grupi Koordinues dhe mbështetës të protestuesve kanë njoftuar se do të zhvillojnë një tubim para gjykatës gjatë kohës që do të mbahet seanca.
Arrestimet u kryen pas protestës së 2 korrikut, ndërsa situata u tensionua edhe gjatë një proteste tjetër në kryeqytet, kur një grup protestuesish u përplas me forcat e policisë pranë Komisariatit nr. 3 në rrugën “Mine Peza”, ku mbaheshin të ndaluarit. Gjatë incidentit u dëmtua godina e komisariatit dhe disa persona hynë në ambientet e brendshme.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohen për disa vepra penale, përfshirë shkatërrim prone, kundërshtim të punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje të rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të policisë dhe pengim të qarkullimit rrugor.
Emrat e 19 prej 21 të arrestuarve janë: Kujtim Pervataj, Romario Dushi, Ardit Ymaj, Niko Qarkaj, Ylli Shima, Ervis Gjoni, Frrok Bardhi, Rezart Pirani, Admir Tershalla, Alban Nikolli, Elvis Bici, Altin Hila, Ervin Gega, Arben Lleshaj, Everes Bardhi, Besard Kajmi, Aristotel Elezaj, Gentjan Progni dhe Durim Bami.
Gjykata e Tiranës pritet të vendosë sot lidhur me masat e sigurisë për të arrestuarit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






