

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka pranuar se skuadra e tij mund të hasë vështirësi në minutat e para të përballjes me Meksikën në raundin e 16-tave të Kupës së Botës, për shkak të lartësisë mbi nivelin e detit në Mexico City.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, tekniku gjerman theksoi se futbollistët anglezë nuk do të kenë kohë të përshtaten plotësisht me kushtet atmosferike në kryeqytetin meksikan, i cili ndodhet rreth 2.200 metra mbi nivelin e detit.
“E dimë që fizikisht nuk do të kemi kohë të përshtatemi plotësisht me këtë lartësi. Mendoj se 15-20 minutat e para të ndeshjes do të jenë më të vështirat për ne. Më pas, lojtarët do të ambientohen dhe do ta menaxhojnë më mirë situatën”, deklaroi Tuchel.
Trajneri anglez vlerësoi gjithashtu kundërshtarin, duke e cilësuar Meksikën një nga skuadrat më të forta të turneut.
“Ata janë një ekip shumë i organizuar, që di të ndryshojë skemat taktike gjatë lojës dhe ka treguar cilësi të larta gjatë këtij Botërori. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë”, u shpreh ai.
Sa i përket atmosferës në stadiumin legjendar “Azteca”, Tuchel tha se pret një mbështetje të zjarrtë për vendasit, por theksoi se Anglia është e përgatitur për të luajtur nën presionin e tifozëve.
Në lidhje me gjendjen e skuadrës, tekniku konfirmoi se Jarell Quansah është rikuperuar dhe është në dispozicion për sfidën, ndërsa Reece James mund të jetë në stol, me vendimin përfundimtar që do të merret pas konsultimit me stafin mjekësor.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






