

Franca ka siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Botës, pasi mposhti me rezultatin 1-0 Paraguain në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Lincoln Financial Field”.
Goli i vetëm i takimit u shënua nga Kylian Mbappe në minutën e 70-të, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë skuadrës së Didier Deschamps një fitore të rëndësishme dhe biletën për në fazën e tetë skuadrave më të mira, ku do të përballet me Marokun.
Paraguai, që në raundin e kaluar eliminoi Gjermaninë pas goditjeve të penalltive, zhvilloi një ndeshje të organizuar në mbrojtje dhe arriti të neutralizonte për një kohë të gjatë sulmet e francezëve. Pavarësisht dominimit në zotërimin e topit, Franca e mbylli pjesën e parë pa regjistruar asnjë goditje në kuadrat.
Sfida u shoqërua edhe me tensione në fushë, ku Mbappe u përfshi në një përplasje me lojtarët kundërshtarë pas një dueli me Andrés Cubas.
Në pjesën e dytë, presioni i francezëve u shtua dhe zëvendësuesi Désiré Doué fitoi penalltinë vendimtare, pasi u pengua në mënyrë të parregullt në zonë nga Diego Gómez. Nga 11 metrat, Mbappe nuk gaboi, duke realizuar golin që vulosi fatin e takimit.
Në minutat e mbetura, Franca administroi avantazhin, ndërsa portieri Orlando Gill shmangu një humbje më të thellë me disa pritje vendimtare.
Me këtë sukses, Franca avancon në çerekfinale, ku e pret përballja ndaj Marokut në garën për një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






