

TIRANË – Një dokument i shpërndarë në një grup komunikimi në WhatsApp, të quajtur “Krijimi i Kuvendit Kombëtar Qytetar”, prezanton platformën për ngritjen e një strukture të re qytetare, të emërtuar “Kuvendi Kombëtar Qytetar”.
Sipas dokumentit, nisma lidhet me protestat e zhvilluara gjatë qershorit 2026 dhe synon, sipas autorëve, të përfaqësojë vullnetin e qytetarëve dhe të mbikëqyrë zbatimin e kërkesave të shprehura gjatë tyre.
Platforma parashikon krijimin e tre strukturave: “Kuvendi Kombëtar Qytetar”, “Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit Kombëtar Qytetar” dhe “Mbledhja e Përgjithshme e Popullit Shqiptar”. Në dokument thuhet se këto organe do të kenë rol koordinues, mbikëqyrës dhe përfaqësues në raport me institucionet shtetërore.
Sipas draftit, Kuvendi do të përbëhet nga persona me angazhim në jetën publike dhe aktivitet qytetar, ndërsa janë parashikuar dy modele organizimi: një forum me 150 anëtarë dhe një strukturë e zgjeruar me 300 anëtarë, ku do të përfshihen edhe përfaqësues nga diaspora dhe trevat shqiptare.
Dokumenti përcakton gjithashtu disa kritere për anëtarësim, mes të cilave përmenden qëndrimet patriotike, mbështetja për konceptin e “Shqipërisë Etnike” dhe angazhimi për të respektuar vendimet e miratuara nga Kuvendi, pavarësisht qëndrimit individual gjatë votimit.
Platforma përfshin edhe propozime politike, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si edhe ndjekjen penale të tij dhe të ish-kryeministrit Sali Berisha, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre më të afërt. Gjithashtu, dokumenti parashikon që, në rast të krijimit të kushteve për një tranzicion politik, kjo strukturë të propozojë emrat e një qeverie teknike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






