

Tortë betoni dhe një arkivol, ishin "dhuratat" që protestuesit i bënë sot Edi Ramës me rastin e ditëlindjes së tij.
Protestuesit janë mbledhur sërish sot në kryeqytet, duke shënuar ditën e 35-të të protestës.
Ata janë grumbulluar fillimisht në sheshin ‘Skënderbej’ dhe më pas kanë marshuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë ndaluar para godinës së qeverisë për të shprehur kërkesat e tyre.
Kërkesa për dorëheqje u kthye në këngën e urimit për Edi Ramën, shoqëruar me një tortë betoni.
Me pranga në duart, me tortë betoni, ku shkruhej “Shumë burg për ty!” apo një tjetër me shkrimin “Populli të uron jepe dorëheqjen, merre dhe Saliun me vete!”
Po ashtu protestuesit mbajtën një arkivol në duar, shoqëruar me mesazhin "Arkivoli politik i Edi Ramës!"
Gjatë tubimit përpara Kryeministrisë, përfaqësues dhe pjesëmarrës në protestë mbajtën fjalime, ku kanë artikuluar qëndrimet e tyre teksa sot shënohet protesta e 35-të radhazi.
“Kanë 35 vjet që na trajtojnë si skllevër. Ne këta i njohim kush janë, i kemi njohur me kohë. Këta janë më keq se Lubia nuk ngopen. Ushqehen me mishin dhe kockat e shqiptarëve. Shqipëria e Shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, u shpreh ish-këshilltari i Berishës, Grid Rroji.
“Sot bëj thirrje që Altin Hila dhe të gjithë ata që janë burgosur të lirohen sa më shpejt. Dikush tjetër e meriton të jetë në burg, jo bijtë e nënave që dalin në protestë për të drejtën e tyre”, tha bashkëshortja e Altin Hilës.
“50 vjet dhunë. Boll më! Pushteti i ka mbyllur sytë, i ka mbyllur veshët, veç gojën e ka lënë me baltë. Lironi çunat! Mërgimi nuk është atdheu ynë”, tha aktori i ‘Marko from Tropoja’, Arben Bajraktaraj.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






