Transmetuar më 04-07-2026, 18:22

Tiranë, 4 korrik 2026 – Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka reaguar lidhur me pretendimet e ngritura nga avokati Gentian Serjani për dhunë ndaj një protestuesi të ndaluar në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Sipas ministrit, Policia e Shtetit ka mohuar çdo pretendim për ushtrim dhune gjatë shoqërimit të të ndaluarit, ndërsa institucionet mbikëqyrëse kanë nisur verifikimet përkatëse mbi rastin.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka hapur një procedurë verifikimi dhe po mbledh informacionin e nevojshëm për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Lamallari bëri të ditur gjithashtu se, sipas tij, edhe institucionet e tjera të pavarura kanë kryer verifikime në terren dhe nuk kanë konstatuar problematika lidhur me trajtimin e të ndaluarit.

Ministri paralajmëroi se, nëse verifikimet e AMP konfirmojnë se pretendimet nuk qëndrojnë, Policia e Shtetit do të ndjekë hapa ligjorë ndaj deklarimeve publike, përfshirë referimin e çështjes në organet e drejtësisë dhe vlerësimin etik-profesional të avokatit përkatës.

Ndërkohë, avokati i Niko Qarkajt, një prej personave të ndaluar gjatë protestave pranë Kuvendit, ka deklaruar se klienti i tij ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore, duke përfshirë kriza epileptike dhe grevë urie që nga momenti i arrestimit.

Sipas tij, janë paraqitur kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë dhe janë njoftuar institucione të pavarura për verifikim të rastit, ndërsa pretendon se nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga autoritetet.

Hetimet dhe verifikimet për ngjarjen vijojnë nga institucionet përgjegjëse.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit