

Tiranë, 4 korrik 2026 – Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka deklaruar se injorimi i pakënaqësive dhe zemërimit të qytetarëve që po shfaqen në rrugë mund të ketë pasoja serioze për situatën politike në vend.
Në një intervistë për gazetën italiane “Il Foglio”, Bushati është cituar të ketë theksuar se mungesa e reflektimit politik dhe mosadresimi i kërkesave të protestuesve përbën një rrezik për stabilitetin institucional.
Sipas artikullit të gazetarit Nicola Mirenzi, i cili analizon zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe reagimet ndaj protestave, ish-ministri socialist ka vënë theksin te nevoja për një qasje më të kujdesshme ndaj situatës sociale dhe politike.
“Nevojitet një reflektim serioz dhe një veprim konkret politik. Të mohosh realitetin, të tallesh me protestuesit, të polemizosh për numrin e tyre, të ndjekësh teori konspirative duke injoruar thelbin e çështjes – pra zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët – do të thotë të luash me zjarrin. Shqipëria meriton më shumë”, citohet të ketë thënë Bushati.
Deklaratat e tij vijnë në një kontekst debati publik mbi protestat dhe reagimet politike ndaj tyre, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






