Transmetuar më 04-07-2026, 17:59

Lezhë, 4 korrik 2026 – Policia e Shtetit ka arrestuar një 57-vjeçar, i dyshuar si autor i zjarrvënies që përfshiu një sipërfaqe të madhe pyjore në malin e Shëngjinit.

Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari, me inicialet B. A., dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave pranë subjektit të tij tregtar në zonën e njohur si “Sagë”, në Shëngjin. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke u përhapur në masivin pyjor përreth.

Hetimet paraprake kanë treguar se gjatë përhapjes së zjarrit ka ndodhur edhe një shpërthim, i dyshuar si pasojë e aktivizimit të një predhe luftarake të pashpërthyer, e cila është ndezur nga flakët. Si pasojë, është dëmtuar lehtë një 30-vjeçar, i cili ndodhej pasagjer në një automjet në lëvizje. Ai ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, autoritetet kanë konstatuar se nga subjekti i të dyshuarit është hequr DVR-ja e kamerave të sigurisë, veprim që dyshohet se është kryer me qëllim pengimin e hetimeve.

Në përfundim të veprimeve procedurale, 57-vjeçari është arrestuar dhe ndaj tij rëndojnë disa akuza, përfshirë “Shkatërrimin e pronës nga pakujdesia”, “Shkatërrimin nga pakujdesia me zjarr të pyjeve dhe mjedisit pyjor”, “Plagosje e lehtë nga pakujdesia” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Policia e Lezhës ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke theksuar se çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr do të përballet me ndëshkimin e ligjit, si dhe ka ftuar qytetarët të raportojnë rastet e paligjshmërisë në numrin 112.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit