

Tiranë, 4 korrik 2026 – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër lidhur me situatën e mbetjeve në zonën e Selitës në kryeqytet, duke kritikuar Policinë Bashkiake të Tiranës dhe kompaninë e pastrimit “Eco Tirana”.
Braçe ka publikuar një reagim nga terreni, ku fillimisht ka denoncuar gjendjen e kontenierëve të mbeturinave, për të cilët kishte ngritur shqetësim edhe më herët. Sipas tij, pas një ndërhyrjeje të mëparshme të institucioneve për pastrimin e zonës, në të njëjtin vend janë depozituar sërish mbetje të ngurta.
Deputeti ka kërkuar që kompania përgjegjëse për menaxhimin e pastrimit në Tiranë të kryejë detyrën e saj, duke theksuar se situata nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë.
Në deklaratën e tij nga terreni, Braçe ka kritikuar gjithashtu Policinë Bashkiake të Tiranës, duke ngritur shqetësime për mungesë patrullimi dhe monitorimi në zonë.
Ai ka përmendur edhe një problematikë të përsëritur të ngritur më herët nga qytetarët, lidhur me vendosjen e gjobave në lagje, duke kërkuar më shumë efikasitet dhe prani në terren nga strukturat bashkiake.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia Bashkiake e Tiranës apo nga kompania “Eco Tirana” lidhur me deklaratat e deputetit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






